Napoli i Antonio Contes tani do të duhet të përqendrohet vetëm te Seria A, pasi i ka dhënë lamtumirën edhe Kupës së Italisë, i eliminuar nga Lazio i Elseid Hysaj.
Në radhët e bardhekaltërve kthehej përsëri titullar mbrojtësi i Kombëtares dhe ai ka luajtur një rol protagonisti në këtë ndeshje, jo vetëm në mbrojtje, por edhe në sulm. Ai dha që në minutat e para një asist në aksionin ku u fitua penallti nga Lazio, por që u shpërdorua nga Zaccagni.
Më pas, Lazio gjeti avantazhin me Noslin, por Simeone barazoi shumë shpejt.
Gjithsesi, një tjetër aksion i nisur nga këmbët e Hysajt solli golin e dytë të Noslin dhe avantazhin 2-1 me të cilin u mbyll pjesa e parë.
Përsëri Noslin në fraksionin e dytë të lojës shënoi edhe golin e tretë personal, duke vulosur rezultatin 3-1 që nuk ndryshoi deri në fund.