Shpërthimi në kanalin Ibër-Lepenc, që rrezikoi burime kritike si uji i pijshëm dhe energjia, është cilësuar si një sulm i drejtpërdrejtë ndaj interesit publik, deklaroi politologu dhe profesori i Fakultetit të Shkencave Politike në Beograd, Çedomir Çupiq.
Ai nënvizoi se incidente të tilla kërkojnë hetim urgjent dhe të thelluar për të shmangur përshkallëzime të mëtejshme.
“Ky akt terrorist përfaqëson një rrezik serioz. Ai kërcënon ujin e pijshëm, stabilitetin energjetik dhe jetët e njerëzve në Kosovë. Një veprim i tillë nuk duhet pranuar asnjëherë. Është thelbësore të zbulohet qëllimi dhe autorët e këtij akti përmes një hetimi të plotë”, tha Çupiq për RTK.
Incidenti ka shtuar tensionet mes Kosovës dhe Serbisë.
Kosova ka akuzuar Serbinë, duke krahasuar ngjarjen me sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, ndërsa Beogradi i ka mohuar akuzat dhe ka bërë thirrje për një hetim të paanshëm, duke ofruar bashkëpunim me EULEX-in, KFOR-in dhe Policinë e Kosovës
“Incidente të pazgjidhura, si sulmi në Banjskë, janë shembuj të rrezikshëm, dhe mbeten precedentë që mund të inkurajojnë akte të tjera destabilizuese. Këto situata kërkojnë reagim të shpejtë dhe të vendosur, sepse në të kundërtën, pasojat mund të jenë tragjike”, thotë Çupiq.
Ai shtoi se planet për veprime të armatosura në rajon janë vetëm iluzione, duke theksuar praninë e NATO-s si garanci.
Sipas tij, përpjekjet e tilla për destabilizim vetëm sa dëmtojnë qytetarët dhe duhet të ndalen njëherë e përgjithmonë.
Profesori theksoi gjithashtu se komuniteti ndërkombëtar duhet të kërkojë përgjegjësi nga të gjitha palët dhe të sigurojë masa që ngjarje të tilla të mos përsëriten