Presidenti rus Vladimir Putin nuk e kupton vërtet fuqinë shkatërruese të armëve bërthamore, tha të hënën një 92-vjeçar i mbijetuar nga bombardimi atomik në Nagasaki, në prag të marrjes së çmimit Nobel për Paqen nga grupi i tij i të mbijetuarve japonezë.
Terumi Tanaka po i referohej kërcënimeve të bëra nga Putin dhe zyrtarë të tjerë të lartë rusë për të përdorur armë bërthamore nëse është e nevojshme për të kundërshtuar atë që ata e shohin si një Perëndim agresiv dhe armiqësor, ndërsa lufta në Ukrainë po shkon drejt përvjetorit të saj të tretë.
Muajin e kaluar Putin, vendi i të cilit ka arsenalin më të madh bërthamor në botë, uli pragun për një sulm bërthamor në përgjigje të një game më të gjerë sulmesh konvencionale.
Çmimi Nobel i Paqes i këtij viti u fitua nga Nihon Hidankyo, një grup të mbijetuarish tashmë të moshuar të bombardimeve atomike amerikane të Hiroshimës dhe Nagasakit në 1945, “për përpjekjet e tij për të arritur një botë pa armë bërthamore”.
“Unë nuk mendoj se presidenti Putin e kupton vërtet se çfarë janë armët bërthamore për qeniet njerëzore,” tha Tanaka, një bashkëkryetar i grupit, në një konferencë shtypi kur u pyet për retorikën e liderit rus dhe vendimin e tij për të ulur pragun.
“Unë nuk mendoj se ai as e ka menduar këtë apo e ka kuptuar këtë… Ajo që duhet të bëjmë është që ai (Putin) të kuptojë vërtet se çfarë janë këto.”
“Ne do të donim të thonim se armët bërthamore janë gjëra që nuk duhet të përdoren kurrë,” tha Tanaka, duke shtuar se ai i kishte dërguar një mesazh të tillë liderit rus në emër të Nihon Hidankyo.
Të martën, Tanaka do të mbajë leksionin Nobel në emër të Nihon Hidankyo në një ceremoni në Bashkinë e Oslos. Dy bashkëkryetarët e tjerë të grupit, Shigemitsu Tanaka, 84 vjeç dhe Toshiyuki Mimaki, 82 vjeç, do të marrin pjesë gjithashtu.