Spitali Amerikan ka reaguar lidhur me aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e cila ngarkon Klodian Allajbeun, në cilësinë e aksionarit dhe përfaqësuesit ligjor të këtij spitali për falsifikim dokumentesh dhe shpëlarje parash, duke i quajtur absurde akuzat e Prokurorisë, ndërsa po ashtu është thënë se janë të shqetësuar për rrjedhje të paautorizuar të aktakuzës, pasi sipas tyre shkelja e konfidencialitetit minon procesin e rregullt ligjor dhe prezumimin e pafajësisë.
Në reagimin e Spitalit Amerikan, thuhet se ata ende nuk e kanë pranuar aktakuzën zyrtartisht dhe theksojnë se janë të shqetësuar edhe me “nevojën e Prokurorisë Speciale për publicitet në këtë rast”. Lidhur me aktakuzën, thonë se do të deklarohet avokati i tyre pas pranimit të saj.
Por, nga ky Spital presin që autoritetet të fillojnë hetime për siç thonë ata shkelje ligjore për shkak të rrjedhjes së aktakuzës në publik.
“Zbulimi i parakohshëm i një informacioni kaq të ndjeshëm ndaj publikut, jo vetëm që komprometon të drejtën për një proces të drejtë, por gjithashtu ngre çështje serioze në lidhje me integritetin e procesit gjyqësor. Autoritetet duhet të fillojnë hetime për shkelje ligjore për shkak të rrjedhjes së aktakuzës në publik dhe të sigurojnë që përgjegjësit të mbahen përgjegjës për shkeljen e konfidencialitetit dhe detyrave zyrtare. Prandaj, presim që organet përgjegjëse të iniciojnë hetimet lidhur me këtë rast”, thuhet në reagim.
Reagimi i plotë: Deklaratë Publike
Spitali Amerikan në Kosovë është thellësisht i shqetësuar për rrjedhjen e fundit të paautorizuar të aktakuzës, në të cilën institucioni ynë përmendet në cilësinë e palës së dyshuar. Në këtë moment, as ne dhe as avokati ynë nuk e kemi pranuar zyrtarisht aktakuzën. Kjo shkelje e konfidencialitetit minon parimet themelore të procesit të rregullt ligjor dhe prezumimin e pafajësisë, të cilat janë gurëthemelet e shtetit të së drejtës.
Ne jemi gjithashtu të shqetësuar për nevojën e Prokurorisë Speciale për publicitet në këtë rast, pasi Prokuroria ka nxjerrë një njoftim publik lidhur me aktakuzën, para përmbushjes së detyrimit të saj për t’ia dorëzuar aktakuzën Spitalit Amerikan apo avokatit të tij. Detyra e Prokurorisë është të ofrojë fakte dhe jo të krijojë perceptim publik për fajësinë e të pandehurve apo të promovojë punën e saj publikisht, në barrë të palëve që i heton.
Zbulimi i parakohshëm i një informacioni kaq të ndjeshëm ndaj publikut, jo vetëm që komprometon të drejtën për një proces të drejtë, por gjithashtu ngre çështje serioze në lidhje me integritetin e procesit gjyqësor. Autoritetet duhet të fillojnë hetime për shkelje ligjore për shkak të rrjedhjes së aktakuzës në publik dhe të sigurojnë që përgjegjësit të mbahen përgjegjës për shkeljen e konfidencialitetit dhe detyrave zyrtare. Prandaj, presim që organet përgjegjëse të iniciojnë hetimet lidhur me këtë rast.
Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve, përfshirë mediat dhe publikun, që t’i qasen kësaj çështjeje me kujdes dhe të përmbahen nga nxjerrja e përfundimeve bazuar në informacione jo të plota, selektive ose jozyrtare. Spekulimet publike dhe konkluzionet e pabazuara nuk i ndihmojnë informimit të drejtë lidhur me këtë aktakuzë. Prandaj, çdo spekulim apo konkluzion, pa vërtetimin e fakteve nga Gjykata, mund të ketë vetëm motiv keqdashës.