Ka së paku tri vite që vendi ynë ndodhet në situatë të rëndë ekonomiko-financiare që është shkaktuar nga inflacioni. Çmimet e produkteve të domosdoshme për shporten e familjes janë rritur në përqindje të madhe në Kosovë dhe kanë ndikur drejtëpërdrejtë në fuqinë blerëse të qytetarëve. Qytetarët sot, me të njëjtën shumë financiare blejnë më pak mallëra të domosdoshme sesa që kanë blerë 3 apo katër vite më parë. Kjo ka krijuar një situatë ku qytetarët duhet të punojnë vetëm për mbijetesë.
Sipas profesorit të ekonomisë dhe menaxhmentit z.Engelbert Zefaj i cili ishte i ftuar në emisionin Euro n’7, kjo po ndodh për shkak se çmimet e produkteve të domosdoshme janë rritur vazhdimisht kurse pagat nuk janë rritur asnjëherë në këto katër vitetet e fundit. Çdo gjë që është blerë, për shembull, me 100 euro para 3 viteve sot kushton së paku 130 euro, pra fuqia blerëse e qytetarit është dobësuar për 30% së paku. Shto këtu faktin se secila familje shpenzon 60% të buxhetit për mallëra të domosdoshme pra vetëm për ushqime, familjeve u mbetet vetëm 40% e pagës për nevojat tjera familjare siq është shëndetësia, edukimi, transporti, mirëmbajtja e shtëpisë, apo ndonjë nevojë tjetër, dhe këto nuk janë as për së afërmi të mjaftueshme.
Një familje e cila ka anëtarë në familje me ndonjë sëmundje, fëmijë që shkojnë në shkollë dhe vetëm me një pagë, ato e kanë të pamundur të sigurojnë kushtet elementare për familjen e tyre
Sipas IHÇK-së (Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumatorit), raporti i Nëntorit 2024 i publikuar nga ASK, çmimet e produkteve të domosdoshme për një familje janë rritur me një mesatare për 3.2% mbi inflacionin ekzistues. Pra, ne kemi vazhdimisht rritje të çmimeve që 2-3 vite por kjo 3.2% është një rritje shtesë e çmimeve.
Sipas z.Zefaj, rënia e fuqisë blerëse ka ndodhur sepse qeveria ka dështuar të rrisë pagat në përputhje me rritjen e inflacionit, edhe pse këtë e kishte premtuar kur ishte në opozitë. Ka katër vite që nuk ka pasur rritje të pagave, përjashto rastin kur qeveria vendosi të balancon tatimin në pagë duke hequr një shumë prej 6.6 euro nga tatimimi, pra duke mundësuar që qytetarëve t’u dalin ato 6.6 euro të tatimit më shumë në llogari.
Është për t’u habitur kur dëgjohen disa që mundohen të gjejnë arsyetime për këtë situatë duke thënë se “Inflacion ka pasur edhe në vende tjera, është normale kjo situatë”! Edhe unë e kuptoj që ka pasur inflacion edhe në vende tjera, por në ato vende tjera ka pasur edhe rritje të pagave në përputhje me mesataren e inflacionit, po ashtu ka pasur ndërhyrje në zbritjen e çmimeve në produktet dhe shërbimet që i ka kontrolluar shteti, ka thënë Zefaj.