Osmani e ashpër dhe shumë e zëshme në Bruksel, por BE-ja s’e dëgjon

by Nexhat

Presidentja e Kosovës shkoi në Bruksel me plot kritika e akuza për Bashkimin Europian, që tha se po i bën padrejtësi vendit. Kritikat i komentoi presidentja e Komisionit Europian, por ato mbetën të patrajtuara në deklaratën përfundimtare nga samiti BE – Ballkani Perëndimor.

Shumë e ashpër ishte presidentja e Kosovës Vjosa Osmani në takimin e djeshëm që ajo dhe liderët e tjerë nga Ballkani Perëndimor e patën me liderët e Bashkimit Europian.

banner

Pak para nisjes së samitit BE – Ballkani Perëndimor, ajo foli zëshëm para gazetarëve në Bruksel për zhgënjimin që tha se e ka për mënyrën se si po trajtohet Kosova nga disa shtete anëtare të BE-së, ndërsa përmendi masat ndëshkuese ndaj vendit, që vazhdojnë të mbeten në fuqi.

“Nëse jam e sinqert, jam e zhgënjyer me trajtimin që Kosovës po i bëhet nga disa shtete anëtare të BE-së. Nëse pyetem pse, atëherë qartë arsyeja kryesore është se nuk ka përparim në heqjen e masave ndaj Kosovës. Janë ende në fuqi e siç kemi parë në konkluzat e Këshillit, nuk do të hiqen as në dhjetor. Janë të padrejta e joeuropiane. S’ka asgjë europiane e nuk ka asgjë të bazuar në vlerë. Të ndëshkohen njerëzit edhe në projekte si uji i pijshëm…”, tha Osmani.

Ajo i falënderoi dy të tretat e shteteve anëtare të bllokur që tha se e mbështetën heqjen e masave dhe të tjerat i pyeti se “çfarë është europiane t’i ndëshkosh 1.7 milionë europianë që jetojnë në Kosovë, në shtetin më pro europian në botë me 97 për qind që besojnë në rrugën europiane”.

Osmani tha se Kosova mbetet e ndëshkuar ndonëse i plotësoi “të gjitha kushtet që kërkoi BE-ja”.

“E njerëzit tanë mbesin të ndëshkuar, ndonëse ne plotësuam gjitha kushtet që kërkoi BE-ja. Po ashtu kemi mbi dy vjet që kemi aplikuar për anëtarësim, e aplikimi ynë është ende diku në sirtar e nuk është rishikuar”, tha Osmani.

Çështjen e masave BE e ka trajtuar në konkluzionet e ministrave të jashtëm të vendeve anëtare ku i ka kërkuar Kosovës hapa tjerë për ta shtensionuar situatën në veri të vendit.

“Në përputhje me deklaratën e përfaqësuesit të Lartë në emër të BE-së, BE-ja ka implementuar masat e kthyeshme ndaj Kosovës. BE-ja do t’i heqë gradualisht këto masa paralelisht me hapat e tjerë të Kosovës për të shtensionuar situatën në veri. Këshilli do të mbetet duke u marrë me ketë çështje”, theksohet në konkluzionet e miratura më 17 dhjetor.

Kosova ka dy vjet që e ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në BE, por ai ka mbetur i pashqyrtuar. Presidentja tha se s’po sheh vullnet politik të nevojshëm nga disa shtete anëtare të BE-së për ta mbështetur Kosovën në rrugën europiane.

Ndonëse i uroi Shqipërinë dhe Malin e Zi si dy vendet e vetme të rajonit që u konsiderua se kanë bërë përparim në rrugën drejt BE-së, Osmani tha se Kosova po merr mesazh nga BE-ja se “sa më tepër që rreshtohesh me Rusinë, Iranin e Kinën, aq më përparim bën, dhe hap klastere të reja e mbyll kapituj në rrugën drejt anëtarësimit në BE”. Nëse je qind për qind e rreshtuar me BE-në, “atëherë s’ka përparim”, tha ajo. Ky proces “nuk është i bazuar në merita”, sipas saj.

Osmani akuzoi “bandat serbe” për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit në fund të nëntorit.

“Agresioni i vazhdueshëm i Serbisë ndaj Kosovës është kundër parimeve të së drejtës ndërkombëtare e kundër vlerave të fqinjësisë së mirë që janë vlera të BE-së”, tha ajo.

Ndërsa Serbia nuk mori përgjegjësinë për “agresionet e vitit të kaluar”, Osmani tha se “ajo po shpërblehet dhe po bën përparime të mëdha me hapjen e kapitujve të ri”.

Pas samitit, Osmani shprehu zhgënjimin edhe në Facebook. Tha se në biseda me liderë të institucioneve dhe shteteve anëtare të BE-së ka theksuar se “nëse respektohet parimi i meritokracisë, ashtu siç proklamohet, atëherë duhet të ecet përpara me hapa konkret në këtë rrugëtim, duke filluar me trajtimin e menjëhershëm të aplikacionit tonë për anëtarësim dhe heqjen e masave ndaj Kosovës të cilat janë të padrejta dhe joevropiane”.

“Nuk mund të ketë integrim të suksesshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor nëse vazhdimisht rrezikohet paqja dhe siguria. Prandaj, llogaridhënia e Serbisë për aktet e vazhdueshme të agresionit ndaj Kosovës është kyçe”, shkroi ajo në Facebook.

U raportua se ajo u ka dërguar letër vendeve anëtare të BE-së duke shprehur rezerva në lidhje me deklaratën përfundimtare BE-Ballkani Perëndimor që doli pas samitit, pasi që në të “nuk dënohen aktet terroriste në veri të Kosovës”.

Në letrën e Osmanit thuhet se Kosova “shpreh zhgënjimin e saj pse Deklarata nuk dënon aktin e agresionit dhe terrorizmit ndaj Kosovës, të kryer më 24 shtator 2023 nga grupi paramilitar dhe terrorist, me mbështetje logjistike dhe politike nga Serbia”. Ajo tërhoqi vërejtjen se “Kosova i ka ndërmarrë hapat e duhur për uljen e tensioneve në veri dhe përkundër kësaj nuk janë hequr masat ndëshkuese ndaj Kosovës, e në anën tjetër nuk janë ndërmarrë masa ndaj Serbisë për aktet e përsëritura të agresionit”.

Në deklaratën e përfundimeve që u nxorën nga ky samit, Kosovës dhe Serbisë iu kërkua që të avancojnë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet tyre, duke i përmbushur detyrimet nga marrëveshjet e arritura.

“Marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, mes Beogradit dhe Prishtinës, përfshirë edhe Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit, duhet të zbatohen pa vonesa të reja. BE-ja u bën ftesë të gjithë partnerëve që të garantojnë të drejtat dhe trajtimin e barabartë të personave që u përkasin pakicave”, thuhet në deklaratë.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen tha se “Komisioni Europian është i gatshëm që ta përgatis opinionin për statusin kandidat për Kosovën si dhe t’i heqë masat, por për këtë duhet unanimitet në Këshill”, kur u pyet në një konferencë për media pas samitit në lidhje me kritikat e Osmanit.

“Po punojmë që ta marrim këtë dhe ne jemi gati. E njëjta vlen edhe për masat. Ne jemi absolutisht gati t’i heqim masat, por edhe këtu na duhet unanimiteti i vendeve anëtare të cilin tani nuk e kemi, por po punojmë shumë që ta marrim, sepse gjithsesi është me rëndësi që edhe Kosova të lëvizë përpara”, tha Von der Leyen

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy