Reagojnë fuqitë botërore për moscertifikimin e Listës Serbe, kërkohet respektimi i ligjeve

by engel

Vendimi i KQZ-së për të mos e certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e 9 shkurti ka nxitura reagime të ashpra të ndërkombëtarëve. ShBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania dhe OSBE-ja e kanë kritikuar KQZ-në për këtë vendim.

Në reagimet e tyre, aleatët e Kosovës kanë kërkuar që KQZ-ja t`i respektojë procedura ligjore. Pas ShBA-së, Gjermanisë dhe OSBE-së, sot ka reaguar edhe Britania e Madhe.

banner

Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka kërkuar nga KQZ-ja që procesi zgjedhor të zhvillohet në bazë të procedurave të duhura ligjore dhe jo të interesave politike. Në profilin e tij në “Facebook”, diplomati britanik ka shkruar që në këtë proces të ketë transparencë.

“I bëj thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të sigurohet që procesi zgjedhor të zhvillohet me integritet dhe në bazë të procedurave të duhura ligjore dhe jo interesave politike. Presim që KQZ-ja dhe të gjithë anëtarët e saj ta konsiderojnë certifikimin e Listës Serbe sipas zbatimit gjithëpërfshirës, transparent dhe të fuqishëm të rregulloreve përkatëse”, ka shkruar Hargreaves.

E shqetësuar me veprimin e KQZ-së është shprehur edhe ShBA-ja. Në një përgjigje të dhënë për Reporterin, ambasada e ShBA-së në Kosovë ka theksuar shqetësimin “me veprimet e disa anëtarëve të Komisionit Qendror Zgjedhor.”

“Jemi thellësisht të shqetësuar me veprimet e disa anëtarëve të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) për të mos certifikuar kandidatët e Listës Srpska. Veprimet e KQZ-së rreptësisht duhet të kufizohen në zbatimin e standaredeve dhe procedurave ligjore dhe çdo vendim për moskualifikimin e kandidatëve duhet të bazohet vetëm në zbatim të barabartë të ligjit. Procesi zgjedhor duhet të jetë transparent, i besueshëm dhe pa ndërhyrje politik”, është thënë në reagimin e Ambasadës së ShBA-së.

Ambasada u ShBA-së u shpreh gjithashtu e shqetësuar për përfshirjen e kritereve të motivuara politikisht në procesin e vendimmarrjes së KQZ-së për certifikimin e kandidatëve.

“Ne jemi të shqetësuar nga përfshirja e hapur e kritereve të motivuara politikisht në procesin e certifikimit të kandidatëve në KQZ. Veprime të tilla dëmtojnë parimet themelore demokratike të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, meqenëse ia çelin derën ndikimit subjektiv politik mbi procesin zgjedhor”, thuhet më tej në reagim.

Të njëjtin shqetësim e ka ndarë edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

Rohde shtoi se procesi i certifikimit është një procedurë rreptësisht formale dhe si e tillë nuk duhet të politizohet.

“Ndaj shqetësimet e BE-së dhe SHBA-së në lidhje me moscertifikimin e Listës Srpska. Zbatimi i barabartë i ligjit për të gjithë është thelbësor. Procesi i certifikimit është një procedurë rreptësisht formale që nuk duhet të politizohet.”, ka shkruar Rohde.

Edhe OSBE-ja ka kërkuar që të respektohet kriteret ligjore në këtë proces.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka luajtur një rol kyç në nxitjen e demokracisë dhe lirive politike në Kosovë për dekada, me mbështetjen e vazhdueshme të OSBE-së. Misioni vëren me shqetësim se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot nuk e ka certifikuar Listën Serbe. Procesi i certifikimit është një çështje procedurale që mbështet zgjedhjet demokratike dhe duhet të jetë pa konsiderata politike. Ne i bëjmë thirrje KQZ-së që të ruajë integritetin e procesit zgjedhor në Kosovë dhe të sigurojë që hapat e mëpasshëm të jenë gjithëpërfshirës dhe në përputhje me parimet demokratike”, është thënë në reagimin e OSBE-së.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy