Sot është bërë përurimi i rrugës Zhur-Brod që lidh fshatin Zhur me Dragashin dhe Dragash-Brod, me një gjatësi prej 42 kilometra dhe vlerë të investimit afër 7.9 milionë euro, siç tha Zyra e Kryeministrit.
Në përurim mori pjesë kryeministri Albin Kurti bashkë me ministrin e Mjedisit, Planifikimin Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe dy zëvendësministrat në këtë ministri, Hysen Durmishi dhe Jeton Raka.
Kurti atje foli për rëndësinë e funksionalizimit të kësaj rruge për të cilën tha se është shumë e rëndësishme për qarkullimin e lirë, ekonominë dhe turizmin, duke shtuar se “këto vise të bukura do të duhej të vizitoheshin nga mbarë Kosova”.
Ministri Aliu tha se kjo rrugë e ka një rëndësi për zhvillimin ekonomik, sepse ajo e lidh vendin me Brodin “ku turizmi malor dhe dimëror e veror është duke u zhvilluar si dhe paraqet mundësi më shumë për tërheqjen e vizitorëve të brendshëm dhe nga jashtë vendit”.
Ndërkaq, zëvendësministri Durmishi veçoi se pjesa prej Zhurit deri në Dragash është me tre korsi, kurse pjesa tjetër është me dy korsi.
Për vitin e ardhshëm, ai njoftoi se tashmë është paraparë buxhet me të cilin do të bëhet edhe rehabilitimi i rrugës prej qendrës së Dragashit e deri në dalje të Dragashit me gjatësi 2.4 kilometra.