Banorët e fshatit Vitomiricë të Pejës, kanë protestuar dje para zyrave të KEDS-it në Pejë, duke shprehur pakënaqësinë e tyre për mungesën e energjisë elektrike dhe mosrealizimin e kërkesave të parashtruara ndaj këtij institucioni.
Protestuesit, të revoltuar nga situata, përdorën fjalë të ashpra ndaj drejtorit të KEDS-it, duke e akuzuar atë dhe institucionin për korrupsion dhe manipulim, njofton Klankosova.tv.
Fjalë si “gjenocid ekonomik” dhe “drejtor i korruptuar” u dëgjuan gjatë protestës, e cila, ndonëse u mbajt në mënyrë të qetë, u karakterizua nga tensione në komunikim, tha gazetari Valdrin Daci, në një lidhje direkte në emisionin “Ora 7”, në Klan Kosova.
Sipas tij, disa lagje si rruga e Spitalit dhe lagjja e Kristalit rifituan energjinë elektrike pas tri ditësh mungesë, ndërsa pjesë të tjera të rrethit të Pejës, përfshirë zona të Vitomiricës, vazhdojnë të përballen me mungesë energjie për gati një javë.