Zvicra nga sot ka ndaluar mbulimin e plotë të fytyrës në hapësira publike, më saktësisht përdorimin e burkës. Shkelësit e këtij vendimi do të gjobiten me gjobë deri në 1 mijë franga.
Vendimi i marrë në vitin 2021, u vendos të hyjë në fuqi këtë vit. Propozimi për të ndaluar mbulimin e fytyrës u soll nga Partia Popullore Zvicerane (SVP) e krahut të djathtë. Qeveria zvicerane, megjithatë, e kundërshtoi atë duke argumentuar se nuk i takon shtetit të diktojë se çfarë të veshin gratë, por shumica ishih kundër mbulimit të fytyrës.
Sipas disa hulumtimeve, shumë pak gra në Zvicër veshin vërtet burka, ndërsa më shumë mbajnë nikab. Rreth 5% e popullsisë së Zvicrës prej 8.6 milionë banorësh janë myslimanë, shumica me origjinë nga Turqia, Bosnja dhe Kosova. Vendimi u prit me kundërshtim dhe kritikë nga organizatat që mbrojnë të drejtat e njeriut.
Me këtë vendim, Zvicra i bashkohet pesë vendeve të tjera evropiane, duke përfshirë fqinjët Francën dhe Austrinë, të cilët tashmë i kanë ndaluar veshjet e tilla në publik.
Vetëm 6 nga 26 kantonet kanë qenë kundër kësaj iniciative ku 20 kantone i kanë dhënë mbështetje të plotë.
Walter Wobmann i Partisë Popullore Zvicerane të krahut të djathtë kishte thëmë se: “Mbulesa e fytyrës është në kundërshtim me sistemin tonë të vlerave”. Ai ishte i lumtur se tani ka rregulla të qarta në mënyrë që “njerëzit ta dinë se në vendin tonë, ju duhet të tregoni fytyrën tuaj në publik”.

