Para tre muajsh, trajneri menaxheri i Manchester City kishte treguar për një vuajtje të shkaktuar nga diva e hollivudit. Pep Guardiola, pas fitores në Ligën e Kampionëve me Manchester Cityn (që mposhti 1-0 Interin në Stamboll), arriti të realizojë një tjetër ëndërr, pikërisht atë për të pasur vëmendjen e Julia Roberts. Ditët e fundit në profilin e divës hollivudiane në Instagram ka dalë një postim befasues. Më 15 mars, Guardiola, pas fitores ndaj Leipzigut në fazën e 16-të, kishte zbuluar interesin dhe pasionin e tij për protagonisten e famshme të Pretty Woman. “Do t’ju tregoj një sekret. Çfarëdo që të ndodhë këtë vit në Champions League, edhe nëse e fitoj, edhe nëse e fitoj tre herë radhazi, do të jem humbës. Kam tre idhuj në jetën time: Michael Jordan, Tiger Woods dhe Julia Roberts Këta janë tre idhujt e mi. Për Michael Jordan dhe Tiger Woods është e qartë pse. Dhe gjithashtu për Julia Roberts”, tha Pep.
Më pas ai tregoi një episod që e kishte bërë të vuante: “Julia Roberts erdhi në Manchester disa vite më parë. Ajo erdhi në një kohë kur ne ishim më mirë se United, në këto katër apo pesë vjet. Dhe ajo shkoi për t’i vizituar ata në Manchester United! Ajo nuk erdhi tek ne! Prandaj edhe nëse unë fitoj Champions League nuk do të krahasohet me Julia Roberts që erdhi në Manchester dhe ajo nuk erdhi për të na takuar. Idhulli im! Çfarëdo që të ndodhë këtë vit, asgjë nuk do të krahasohet me zhgënjimin që kam pasur”. Ëndrrat ndonjëherë bëhen realitet, të paktën ëndrra e Pep Guardiolës me siguri është realizuar. Ditët e fundit, Julia Roberts ka shkruar një mesazh në profilin e saj në Instagram drejtuar trajnerit të Manchester City: “Urime Pep që udhëhoqët skuadrën tuaj drejt fitimit të Champions League”. Një mesazh i papritur që i habiti të gjithë.