Vetëm 7 nga 54 mësimdhënës e kaluan provimin për licencë të avancuar/ Ekspertët: Faji te mosinformimi për testim

by informim peje

Nga 54 mësimdhënës që i janë nënshtruar provimit për pajisje me licencë të avancuar, vetëm shtatë e kanë kaluar.

Kështu e bëri të ditur Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

banner

Po ashtu, Nagavci këtë e quajti si ‘një sukses të jashtëzakonshëm në fushën e arsimit’.

“E lumtur dhe krenare që përmbyllëm me sukses një proces tejet të rëndësishëm që çon në avancimin e performancës së mësimdhënësve në kuadër të reformave për zhvillimin profesional të mësimdhënësve dhe përmirësimit të rezultateve në arsim. Për herë të parë javën e kaluar e përmbyllëm me sukses provimin për licensën e avancuar të cilit iu nënshtruan gjithsej 54 kandidatë. Ky është një sukses i jashtëzakonshëm në fushën e arsimit. Qëllimi i sistemit të licencimit është zhvillimi i vazhdueshëm profesional dhe avancimi në karrierë i mësimdhënësve përmes vlerësimit të performancës së tyre”, tha ajo përmes një postimi në Facebook.

Lidhur me këtë, ish zëvëndësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, në një prononcim dhënë për GazetaBlic, thotë se ka pritur të ketë më shumë aplikues, por që sipas tij nuk kanë pasur informacione të mjaftueshme për natyrën e provimit.

“Ftesa për aplikim ka qenë publike, ndërsa aplikimi përmes ekosova, prandaj duhet të konsiderojmë se kanë aplikuar ata mësimdhënës që e kanë pasur konfidencë t’i shtrohen procesit të vlerësimit. Edhe unë kam pritur se do të ketë më shumë aplikues, por, si duket, nuk ka pasur informacion të mjaftueshëm për natyrën e provimit klasifikues dhe njerëzit kanë hezituar të jenë në grupin e parë”, tha ai.

Pupovci shton se për këtë kalueshmëri të ulët, Ministria e Arsimit duhet të bëjë përpjekje që kriteret e vlerësimit të jenë të larta.

“Po shihet se edhe kalueshmëria në provim ka qenë mjaft e ulët, 7 nga 54, ndërsa arsyet për këtë duhet të analizohen nga Ministria, duke bërë përpjekje të vazhdueshme që te kriteret e vlerësimit të jenë të larta, sepse bëhet fjalë për licencë të avancuar. Është praktikë e mirë të publikohet një udhëzues për provimin klasifikues që aplikuesit potencialë ta kenë të qartë se në cilat fusha dhe për cilat lloje të pyetjeve duhet të përgatiten”, u përgjigj Pupovci.

Ndërsa, njohësi i arsimit, Argjend Osmani vlerëson se një testim i tillë ka qenë vetëm ‘për sy e faqe’.

Po ashtu, ai akuzon qeverinë se e ka stërzgjatur një proces të tillë, pasi që i njëjti sipas tij ka ndikuar për një proces të pasuksesshëm.

“Sa i përket procesit të licencimit dhe provimit të mbajtur mendoj se ky ka qenë një testim faktitkisht sa për sy e faqe, për shkak qeveria për një kohë shumë të gjatë e ka stërzgjatur procesin dhe ka ndikuar që me këto komplikime qe ka sjellë të mos i jetë një proces i sukseshëm. Ky testim është bërë vetëm sa për t’u hedhur hi syve të publikut dhe nuk paraqet realitetin e udhëtimit të mësimdhënësve”, tha ai në një prononcim për GazetaBlic.

Osmani thekson se testimi si një proces është i rëndësishëm, por që mësimdhënësit duhet të jenë të informuar në mënyrë më të mirëfilltë.

“Testimi si proces është i rëndësishëm, por ai duhet të mbahet në kushte të caktuara dhe të ketë informim të mirëfillët. Andaj, si i tillë mendoj që do të ndikojë që mësimdhënësit të shprehin interesimin e duhur dhe në këtë formë të organizuar tashmë nuk është mënyra e duhur”, tha ai.

Ndryshe, mësimdhënësit që përfunduan provimin, më pas do të kenë edhe një vlerësim nga Inspektorati i Arsimit, si dhe më pastaj do të përfitojnë edhe shtesën e performancës në vlerë monetare prej 1.2 të vlerës së koeficientit.

Vlen të ceket se shtatë vjet pasi ta marrin këtë licencë, mësimdhënësit mund të aplikojnë për licencën e përhershme, e cila nuk ka afat kohor dhe nuk ka nevojë për ripërtëritje.

Me Udhëzimin e ri Administrativ, të miratuar në qershor të vitit 2023, mësimdhënësit kanë tri lloje të licencave – ajo e karrierës, e avancuar dhe licenca e përhershme.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy