Misioni i KFOR-it ka mirëpritur garancitë e fundit që i janë dërguar nga Qeveria Kurti për mosdërgimin e FSK-së në Veri.
Në një përgjigje për Gazetën Express ata thonë se e mirëpresin respektimin e vazhdueshëm të Kosovës ndaj këtij zotimi.
“Sipas marrëveshjes NATO -Kosovë të vitit 2013 secili dislokim i FSK-së në Veri kërkon autorizim nga komandanti i KFOR-it” rikujtojnë nga Film City.
Tutje, ata theksojnë dialogun e rregullt që kanë me institucionet e Kosovës, përfshirë Ministrin Maqedonci i cili dje ka konfirmuar se ka dërguar letër në komandën e KFOR-it ku ka theksuar se do të respektohet zotimi për të mos e çuar FSK-në në Veri.
“Ne e mirëpresim respektimin e vazhdueshëm që Kosova ka ndaj këtij zotimi dhe garancitë e fundit me shkrim. Kjo pasqyron dialogun e rregullt të KFOR-it me përfaqësuesit e organizatave të sigurisë së Kosovës dhe të institucioneve të Kosovës, përfshirë z.Maqedonci” thuhet në përgjigjen e KFOR-it për Gazetën Express.