Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot në takim zëvendëssekretarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Menaxhimin dhe Resurset, Richard Verma.
Në njoftimin për këtë takim, Zyra e Kryeministrit tha se aty u diskutuan marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve “për mundësi të reja për avancimin dhe thellimin e tyre dhe për përfitimet nga Dialogu Strategjik”.
Për Dialogun Strategjik me SHBA-në, më herët presidentja Vjosa Osmani tha se në takimin që pati ajo me Verëmn, iu konfirmua se “Kosova dhe SHBA-të do ta finalizojnë së shpejti Dialogun Strategjik”.
ZKM tha se Kurt, duke i uruar mirëseardhjen në këtë vizitë të parë në Kosovë, i shprehu mirënjohjen “për mbështetjen e palëkundur të ShBA-ve ndaj Kosovës dhe për partneritetin mes dy vendeve tona në të gjitha etapat shtetndërtuese, si aleati ynë kryesor dhe strategjik”.
“U theksuan edhe veprimet e shpejta të ndërmarra nga Republika e Kosovës për strehimin e refugjatëve afganë dhe rreshtimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian në dënimin dhe sanksionimin e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës”.
Kurti zhvilloi këtë takim pas ngjarjes e lansimit të fazës së parë të parakualifikimit për dizajnimin dhe ndërtimin e sistemeve të ruajtjes së energjisë përmes baterive (BESS) në kuadër të marrëveshjes me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit me vlerë prej 236.7 milionë dollarë.
Në këtë kontekst, ZKM tha se Kurti e falënderoi SHBA-në për mbështetjen e tyre dhe përkrahjen në kuadër të projekteve të energjisë.
“Bashkë diskutuan edhe për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve tona, për mundësi të reja për avancimin dhe thellimin e tyre dhe për përfitimet nga Dialogu Strategjik. U theksuan edhe veprimet e shpejta të ndërmarra nga Republika e Kosovës për strehimin e refugjatëve afganë dhe rreshtimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian në dënimin dhe sanksionimin e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës”.
Kryeministri Kurti e njoftoi Zëvendës Sekretarin Verma mbi “zhvillimin dhe progresin që ka njohur Kosova në katër vitet e fundit, teksa mbetemi të orientuar kah synimet strategjike të anëtarësimit në NATO dhe BE”.
ZKM tha se në takim gjithashtu u diskutua edhe për bashkëpunimin rajonal, marrëdhëniet fqinjësore dhe procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
“Kryeministri vuri theksin te shkeljet e vazhdueshme të Serbisë ndaj Marrëveshjes Bazike, që vijnë si rezultat edhe i mosnënshkrimit të saj dhe aneksit të zbatimit, si dhe mosdorëzimin e kryeterroristit Millan Radoiçiq dhe grupit të tij përgjegjës për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023 ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku”.
Në këtë takim, Kurti e priti Vermën bashkë me zëvendëskryeministrin e Parë, Besnik Bislimi dhe zëvendësministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti. Ndërkaq, bashkë me Vermën, ishte edhe zëvendësndihmës Sekretari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof.