Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës, Gafurr Dugolli, ka përfaqësuar vendin në takimin e 15-të të drejtorëve të armatimeve kombëtare, që u mbajt në selinë e NATO-s, nën drejtimin e SHBA-së, si pjesë e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës.
Në këtë konferencë morën pjesë mbi 50 vende, përfshirë shtetet anëtare të NATO-s dhe përfaqësues të BE-së dhe NATO-s.
Dugolli, i shoqëruar nga këshilltari ushtarak, kolonel Milaim Musliu, theksoi gatishmërinë e Kosovës për të kontribuar në mbështetje të Ukrainës në luftën e saj kundër agresionit rus.
“Si gjithmonë, delegacioni ynë ka dëshmuar gatishmërinë e pakushtëzuar për të vazhduar angazhimin në mbështetje të Ukrainës,” thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës.
Tutje theksohet se ky angazhim po forcon vazhdimisht subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, duke dëshmuar përkushtimin dhe kapacitetet e vendit për të mbrojtur vlerat e përbashkëta si një partner i besueshëm dhe i dëshmuar.