Në emisionin EURO n’7 është diskutuar gjithashtu roli i qeverisë dhe sfidat e bizneseve në Kosovë, si dhe premtimet e parealizuara të qeverisë Kurti.
Profesori universitar Engelbert Zefaj ka thënë se të bërit biznes në Kosovë gjatë qeverisë aktuale ka qenë vërtet një sfidë e madhe, ku gjatë kësaj kohe mbi 2000 biznese janë mbyllur.
Sipas tij, kryeministri kishte premtuar se rezervat shtetërore do të mbusheshin me prodhime vendore, por ato nuk u mbushën me produkte vendore, dhe përkundrazi, u përcollën me skandale të mëdha korruptive.
“Premtimi ishte që rezervat shtetërore nuk do të jenë asnjëherë të zbrazëta, ato jo vetëm që mbetën të zbrazëta, por edhe populli u mashtrua duke thënë se ato janë mbushur. Përveç kësaj, u bënë pagesat për mallrat, por ato nuk erdhën, kjo është çmenduri. Unë nuk po kuptoj si ata kanë vazhduar të qëndrojnë në qeveri me një aferë kaq të rëndë korruptive. Është një listë e gjatë, duke përfshirë edhe kryeministrin, ministra dhe zyrtarë të tjerë qeveritarë dhe biznese që janë përfshirë në këtë aferë korruptive,” ka thënë Zefaj.
Sipas tij, kjo aferë korruptive rëndohet edhe më shumë nga fakti se kryeministri nuk i përgjigjet organeve vendore që ta intervistojë.
“Kryeministri thirret të dëshmojë për këtë plaçkitje të rezervave, por ai nuk shkon dhe thotë se më parë ka ndodhur që kryeministri të intervistohet në zyrë, dhe kjo është e pavërtetë,” ka shtuar Zefaj.
Ndryshe, sipas tij, qeveria Kurti ka dështuar totalisht edhe në rritjen ekonomike dhe krijimin e kushteve më të mira për qytetarët e saj.