Instituti Ndërkombëtar Republikan (IRI) sapo ka publikuar Anketën Kombëtare për Shqipërinë, ku spikat një mbështetje e lartë e qytetarëve për SPAK-un, i cili vazhdon të mbetet institucioni më i besueshëm në vend. Shumica e të anketuarve presin më shumë hetime dhe ndëshkime të politikanëve të korruptuar, për shkak se korrupsioni është për ta një ndër shqetësimet kryesore.
Drejtori i IRI-t për Shqipërinë, John Fluharty, tha se qytetarët mbështesin përpjekjet kundër korrupsionit për të përmirësuar jetën e tyre. Ai theksoi se lufta kundër korrupsionit rikthen besimin e njerëzve tek demokracia.
Anketa Kombëtare e Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI) gjeti se Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) është sot institucioni më i besueshëm në Shqipëri (76%), e më pas renditen policia, ushtria dhe institucionet fetare, ndërsa institucionet më pak të besueshme janë Kuvendi dhe partitë politike.
Studimi mbështetet në përgjigjet e 1200 qytetarëve të moshave nga 18 vjeç deri mbi 56 vjeç.
Pjesa më e madhe e të anketuarve (59%) mendojnë se reforma në sistemin e drejtësisë është e efektshme, ndërsa (70%) e tyre mendojnë se efektshmëria e drejtësisë u rrit pas vetingut të gjyqtarëve dhe ngritjes së SPAK-ut.
Afro gjysma e të anketuarve (47%) mendojnë se krijimi i SPAK-ut është rezultati më i mirë i reformës në drejtësi, më pas vijnë vettingu (27%) dhe (13%) zbehja e ndikimit politik mbi gjykatat.
Pas kryerjes së reformës në drejtësi qytetarët mendojnë se më të rëndësishmet për t’u bërë tani janë luftimi i korrupsionit, hetimi dhe ndëshkimi i politikanëve, si dhe pavarësia nga ndikimi qeveritar.
Ata i besojnë më shumë SHBA-ve (46%) dhe BE-së (37%) për monitorimin e institucioneve të reja të drejtësisë, përfshirë SPAK dhe gjykatat, disa herë më pak kryeministrit (7%), dhe vetëm 1 për qind i besojnë Kuvendit.
Më shumë se gjysma e të anketuarve (51%) nga të gjithë grupmoshat pohuan se nuk do ta përkrahin në zgjedhje asnjë parti, që mbështet ligje për të kufizuar punën e SPAK-ut.
Afro 40 për qind e qytetarëve pohuan se vlerësimi i tyre për SPAK-un do të përmirësohej, nëse SPAK heton politikanë, të cilët ata i kanë mbështetur në të kaluarën
“Për të tretën herë në anketat tona SPAK-u është institucioni më i besuar në Shqipëri, – John Fluharty, drejtori i IRI-t për Shqipërinë. Qytetarwt shohin shpresë në punën e SPAK-ut, shohin shpresë në luftimin e korrupsionit, që më parë nuk e kishin. Kjo është vërtet domethënëse”, tha zoti Fluharty