Oda Ekonomike Kosovë-Izrael ka dënuar gjuhën linçuese me konotacion politik të përdorur ndaj kompanisë dhe familjes Devolli.
Reagimi i kësaj ode vjen pas deklaratave të fundit të kryeministrit Albin Kurti ndaj Devollit në Pejë.
“Oda Ekonomike Kosovë-Izrael dënon gjuhën linçuese me konotacion politik të përdorur ndaj korporatave apo komuniteteve të biznesit, veçanërisht gjatë fushatave zgjedhore dhe tubimeve politike”.
“Deklarata apo thirrje që cenojnë punën dhe dinjitetin e individëve apo grupeve dhe që si pasojë synojnë denigrimin e figurës së tyre dhe të bizneseve që ata përfaqësojnë janë të papranueshme. Një retorikë e tillë jo vetëm që është në kundërshtim me vlerat e rendit demokratik, por përbën gjithashtu një shkelje të drejtëpërdrejtë të lirive dhe të drejtave kushtetuese të qytetarëve të Kosovës për të ndërmarrë iniciativa private dhe për të zhvilluar mirëqenien e tyre dhe të komunitetit ku ata jetojnë dhe punojnë”.
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës bazohet mbi liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, përfshirë liritë ekonomike si ato të lëvizjes së lirë të punës, mallrave dhe kapitalit. Mbrojtja ligjore dhe garantimi i këtyre të drejtave në një rend kushtetues e demokratik, i ofrohet të gjithë qytetarëve pa dallim, bizneseve, si edhe të gjithë investitorëve të huaj, përfshirë edhe ato të diasporës”.
Oda Ekonomike Kosovë-Izrael thekson se “për këtë arsye, çdo gjuhë kërcënuese apo linçuese ndaj komunitetit të biznesit është një cënim i drejtpërdrejtë i këtyre lirive”.
Kjo odë njëherësh bën thirrje për një komunikim të matur dhe të përgjegjshëm, i cili promovon një klimë të qëndrueshme dhe mikpritëse për bizneset.