Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Në njoftimin e Presidencës thuhet se gjatë takimit, Presidentja Osmani ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës, si dhe për rolin thelbësor në procesin e shtetndërtimit.
Osmani dhe Hargreaves, diskutimet i fokusuan në bashkëpunimin e ngushtë dypalësh në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, duke vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar në reformat institucionale dhe promovimin e sundimit të ligjit, ndaj Presidentja Osmani falënderoi Mbretërinë e Bashkuar për mbështetjen e deritashme në fushën e mbrojtjes.
Më tej, thuhet se Osmani shtroi nevojën e ngritjes së nivelit të bashkëpunimit strategjik në këtë fushë, si hap drejt përgatitjes së Kosovës për anëtarësim në NATO.
Osmani falënderoi Mbretërinë e Bashkuar për programin e bursave Chevening dhe diskutoi mundësitë për zgjerimin e shkëmbimeve arsimore dhe kulturore, si dhe për forcimin e partneritetit në këto fusha.
“Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë për adresimin e sfidave dhe avancimin e aspiratave të përbashkëta, duke shfaqur gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve në të gjitha fushat”, thuhet në njoftimin e Presidencës.