Alban Zogaj, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për deputet, ka komentuar gjuhën e ashpër të përdorur nga kryeministri Albin Kurti ndaj LDK-së, duke e cilësuar atë si përçarëse dhe ofenduese ndaj popullit.
Në Debat Plus, Zogaj theksoi se LDK-ja ka vendosur të mos i përgjigjet kësaj gjuhe dhe të fokusohet në prezantimin e programit të saj para qytetarëve.
“Është thjesht qëndrimi i jonë. Qëndrimi i jonë mos me u marrë me ta sepse kjo është gjuhë përçarëse. Kjo është gjuhë që e përçan vendin, e përçan shoqërinë e popullin. Andaj ne kemi vendosur dhe e kemi qëndrim mos me u marr me to. E kemi qëndrim me i injoru. Sepse kemi program me prezantu. Ideja e kampanjës sonë politike është ta prezantojmë programin politik para qytetarëve tanë. Ata dëshirojnë me na futë në lojën e përçarjes”, ka thënë Zogaj në Debat Plus.
Ai e quajti gjuhën e Kurtit jo vetëm përçarëse, por edhe fyese ndaj qytetarëve.
“Kjo në fakt është gjuhë ofenduese edhe ndaj popullit. Sepse ‘lydykyhi’ ose ‘pdykyi’ që e përdori ai, është edhe theks, theks i disa rajoneve tona. Pra është ofendim ndaj njerëzve dhe kjo është e papranueshme. Dhe kjo shoqëri e ky popull duhet me pa ofendimin edhe mos me toleru këtë ofendim. E ne s’do të merremi më të”, ka shtuar Zogaj.
Sipas tij, LDK-ja po përqendrohet në projekte konkrete dhe programin e saj politik për të fituar besimin e qytetarëve.
Zogaj u shpreh i bindur se LDK-ja është në rrugë të mirë për të rikthyer mbështetjen e saj tradicionale dhe për të dalë fituese në zgjedhjet e ardhshme.
“Ne kemi marrë qëndrim projektet me i prezantuar edhe me i tregu popullit ky është programi të cilin ne e implementojmë, nëse na jepni besimin për me udhëheq. Dhe ai besim po kthehet. E ky është sikleti i tyre. Sikleti i tyre me LDK-në është se vota e LDK-së po kthehet. Pra ne jemi në votën tonë, jemi kthyer në votën tonë. Që i bien LDK do të kthehet fituese në zgjedhje”, ka shtuar kandidatit për deputet nga LDK-ja