“Të ma thonë në sy fjalën hajdut”, Beqaj: Berishën dhe Vokshin i dua dëshmitarë

by Nexhat

Në një letër publike të publikuar këtë të diel nga avokati i tij, Ilir Beqaj, i akuzuar në çështjen e koncesionit për shërbime të integruara në fushën e shëndetësisë, ka shprehur falenderime për mbështetjen e marrë nga qytetarët dhe ka kritikuar mënyrën e zhvillimit të procesit gjyqësor dhe hetimor.

Beqaj e filloi deklaratën duke thënë: “Dua të falenderoj të gjithë ata që kanë shprehur mbështetje dhe besim tek e vërteta që po mbrojmë në Gjykatë, në lidhje me çështjen e koncesionit për shërbime të integruara

banner

Ai ka rezerva sa i përket procesit duke e krahasuar me komisionin hetimor parlamentar të drejtuar nga Albana Vokshi ku theksoi se sipas tij, të dyja këto procese dështuan dhe i konsideroi ato si përpjekje për të mbyllur gojën e tij

“Si në procesin hetimor parlamentar, ashtu edhe në procesin gjyqësor, është tentuar të më mbyllin gojën dhe të pengojnë shpalosjen e të vërtetës,” tha Beqaj.

Një moment kyç në deklaratë ishte kur Z. Beqaj u shpreh për vendimin e Gjyqtares të seancës paraprake, e cila, sipas tij, nuk ka shpjeguar dhe justifikuar akuzën e re të ngritur ndaj tij.

“Gjyqtarja vendosi të mos shpjegonte akuzën e re që më ishte ngritur dhe as të justifikonte bazën ligjore të saj,” tha Beqaj, duke shtuar se kjo ka krijuar një situatë të paqartë dhe të padrejtë për të akuzuarit.

Ai gjithashtu nënvizoi kërkesat e tij për praninë e medias, të cilat i ishin mohuar në mënyrë të përsëritur nga Gjyqtarja, duke argumentuar se “Nuk ka asnjë sekret në fjalën time të mbrojtjes. Ky është një proces që ka synuar të mbahet i mbyllur dhe i paqartë për të penguar drejtësinë.”

Përfundimisht, Z. Beqaj ka kërkuar që Sali Berisha dhe Albana Vokshi që sipas tij e kanë duartrokitur qëndrimin e Gjyqtares të vinin në gjyq dhe ti thonin në sy fjalën “hajdut” dhe po në sy Beqaj ti jepte përgjigjen e tij.

Deklaratë publike e Z. Ilir Beqaj

Gjyma e përballjes sonë në Gjykatë lidhet me të vërtetën e kësaj çështjeje dhe provave të saj të pakundërshtueshme. Gjysma tjetër ka kohë që lidhet vetëm me pengesat artificiale dhe të paligjshme që na u krijuan vazhdimisht gjatë këtij procesi, i cili para së gjithash duhet të garantonte të drejtat minimale të të akuzuarve, për të kuptuar akuzën, për të marrë provat ku bazohet akuza, për të folur dhe për të patur në sallë prezencën e medias

Ekziston një ngjashmëri shumë e madhe midis procesit hetimor që zhvilloi Albana Vokshi si drejtuese e komisionit hetimor parlamentar të kallëzimit të saj dhe procesit gjyqësor që zhvilloi Gjyqtarja e seancës paraprake. Të dyja proceset zgjatën me muaj të tërë dhe të dyja dështuan duke përfunduar me urdhëra dhe skema për të mbyllur gojën time.

Albana Vokshi mori urdhër për të më mbajtur dy ditë peng në Kuvend pa më dhënë të drejtën për të folur dhe për t’u mbrojtur nga akuzat e saj disa vjeçare.

Edhe Gjyqtarja në fund të procesit gjyqësor mori një vendim absurd dhe të pazakontë që të gjithë të heshtnin dhe të mos flisnin për thelbin e çështjes – akuzën e re që ajo shpiku në fund të procesit. Kjo ishte dhe arsyeja e “shpërthimit” tim ndaj masakrës që ajo i bëri procesit gjyqësor dhe të drejtave tona procedurale si të pandehur

Gjyqtarja vendosi që të mos shpjegonte/arsyetonte vendimin e saj të ndërmjetëm kur ftoi prokurorët që të korrigjonin akuzën, e cila ishte në thelb një akuzë totalisht e re. Dhe për këtë kishte një arsye. Në Njoftimin e Akuzës nga prokurorët dhe në provat bashkëlidhur nuk kishte asnjë provë që përligjte ngritjen e kësaj akuze të re. Si unë, si të akuzuarit e tjerë, si avokatët tanë dhe mbi të gjitha si vetë Prokurorët e çështjes, i kërkuam asaj që të shpjegonte arsyet e këtij qëndrimi dhe në cilin fakt apo provë të akuzës ajo bazohej për të pretenduar që në rastin konkret unë isha “hajdut” dhe “grup i strukturuar kriminal”. Për më tepër që ky është një detyrim ligjor i saj dhe një e drejtë e pamohueshme e imja për të kuptuar akuzën e re që më bëhej

Pavarësisht këtyre kërkesave, Gjyqtarja vendosi të kyçte gojën. Pra, të mos shprehej. Pastaj vendosi që as Prokurorët të mos shpreheshin dhe të mos shpjegonin akuzën e re të saj. Gjoja na dha neve fjalën për t’u mbrojtur duke na thënë paturpësisht që nëse nuk kishim ndonjë gjë për të folur, edhe mund të mos flisnim. Po si mund të mbrohesha unë dhe të tjerët për një akuzë të re të bërë nga Gjyqtarja që vetëm nenin tregon dhe nuk shpjegon asgjë se çfarë u vodh, sa u vodh, kur u vodh dhe cila është kjo strukturë kriminale që nuk shpjegohet në asnjë rresht të akuzës?! Po ashtu, a nuk e rregullon dhe e detyron ligji bashkëpunimin e ministrit me zv. ministrin, a nuk e rregullon dhe e detyron ligji bashkëpunimin e titullarit të Autoritetit Kontraktor me kryetarin e Komisionit të Koncesionit, a nuk e rregullon dhe e detyron Kodi Civil dhe kontrata bashkëpunimin e Autoritetit Kontraktor me koncesionarin? Prandaj, ky ka qenë një proces fiktiv, që ashtu si komisioni hetimor parlamentar, duhej të mbyllej me heshtjen time. Disa herë kam kërkuar mediat të jenë prezent në sallë, sepse nuk ka asnjë sekret në fjalën e mbrojtjes sime. Ama në të gjitha rastet më është mohuar një kërkesë e tillë nga Gjyqtarja se gjithë ky proces sipas saj është sekret hetimor.

I ngjashëm ka qenë reagimi im në fund të dy proceseve. Tek procesi hetimor parlamentar duhet patjetër të reagoja kur Ina Zhupa dhe Albana Vokshi e mbyllën gjithë atë “pengmarrje” timen pa dashur kurrsesi të më jepnin fjalën. Ndërsa tek procesi gjyqësor vendosa të mos qëndroja më në sallën që më mbajti peng nëntë muaj dhe në fund Gjyqtarja jo vetëm heshti në mënyrë të paligjshme, por edhe na mbylli gojën ne të tjerëve, të akuzuarve, mbrojtësve tanë ligjorë dhe prokurorëve.

Natyrshëm që Berisha dhe Vokshi e kanë duartrokitur qëndrimin e Gjyqtares. Të njëjtës gjyqtare që i hoqi masën “arrest shtëpie” Sali Berishës. Të dy këta, si edhe Petrit Vasilin, do t’i thërras dëshmitarë në gjyq. Të ma thonë në sy fjalën “hajdut” dhe po në sy t’u them përgjigjen time./EuroNews/

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy