Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni është vendosur nën hetim për ndihmë dhe nxitje në lirimin dhe riatdhesimin e komandantit libian Almasri, i kërkuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare.
Sipas mediave të huaja, i njëjti njoftim ka mbërritur edhe te nënsekretari Alfredo Mantovano dhe ministrat e Drejtësisë Carlo Nordio dhe ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi.
Lajmin e ka bërë të ditur kryeministrja Meloni me një video në rrjetet e saj sociale.
“Prokurori Publik Francesco Lovoi, i përfshirë edhe në gjyqin e dështuar të Matteo Salvinit për rrëmbim, sapo më dërgoi një njoftim hetimi për ‘krimet e ndihmës dhe përvetësimit në lidhje me çështjen e riatdhesimit të shtetasit Almasri’. Një njoftim hetimi, saktëson Meloni, dërguar edhe ministrit Carlo Nordio, Matteo Piantedosi dhe Alfredo Mantovano, besoj se ka ardhur pas një ankese të paraqitur nga avokati Luigi Li Gotti, një politikan shumë i majtë pranë Romano Prodit, i njohur për mbrojtjen e kriminelëve të kalibrit të Buscetta, Brusca dhe mafioz të tjerë”, tha Meloni.
“Mendoj se ajo që ishte e vlefshme dje vlen edhe sot: Nuk mund të shantazhohem dhe nuk jam e frikësuar, ka mundësi që për këtë arsye të mos më pëlqejnë ata që nuk duan që Italia të ndryshojë. Por gjithashtu dhe mbi të gjitha për këtë kam ndërmend të vazhdoj rrugën time në mbrojtje të italianëve, veçanërisht kur rrezikohet siguria e kombit”, tha më tej Meloni.