Selena Gomez ka humbur më shumë se 800 mijë ndjekës në Instagram gjatë 30 ditëve të fundit, pas një videoje ku ajo shpërtheu në lot për dëbimet e emigrantëve pa dokumente nga SHBA.
Videoja, e cila u fshi shpejt nga artistja, shkaktoi një reagim të ashpër, sidomos mes mbështetësve republikanë, përfshirë kandidatin për Senat, Sam Parker, i cili sugjeroi që Gomez të dëbohej për deklaratat e saj.
Postimi erdhi në një moment delikat për karrierën e saj, pasi filmi i saj i fundit, “Emilia Perez”, u nominua për 13 çmime ‘Oscar’. Megjithatë, ai mori kritika për performancën e saj dhe për përdorimin e spanjishtes, sipas raportimeve të DailyMail.
Një burim i afërt me Gomez i tha MailOnline se ajo është tërhequr nga deklaratat e saj politike për të mos humbur mbështetje nga fansat konservatorë të markës së saj të bukurisë, ‘Rare Beauty’. Ndërkohë, ajo është e pasionuar për çështjen e emigracionit, por është e shqetësuar se mesazhi i saj u keqkuptua për shkak të emocioneve të forta në video.
Personalitete të tilla si Piers Morgan e kritikuan Gomez për “narcisizëm”, ndërsa ish-shefi i ICE, Tom Homan, mbrojti politikën e dëbimeve. Megjithatë, Gomez vazhdon të përdorë platformën e saj për të folur mbi çështje sociale, pavarësisht debatit të madh që shkaktoi.