Dy persona te akuzuar per vjedhje baneash e biznesesh u arrestuan ne Tirane ndersa policia tha se u ka gjetur edhe antiplumb.
Njoftimi:
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “THE END”.
Identifikohen dhe vihen në pranga 2 shtetas që kryenin vjedhje me thyerje në banesa dhe në subjekte. Të dy shtetasit, me precedent kriminal për vjedhje.
Zbardhen një vjedhje me thyerje në një biznes dhe një vjedhje tjetër, të kryera nga këta shtetas, ditët e fundit.
Sekuestrohen 1 armë zjarri pistoletë, municion luftarak, sende si të Policisë, 2 biçikleta, laptop, monopatinë dhe sende të tjera, që u gjetën në banesën e njërit prej të arrestuarve.
Si rezultat i veprimeve hetimore nga kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3, për zbardhjen e rasteve të vjedhjes së pronës/pasurisë, në kuadër të operacionit policor të koduar “THE END”, janë arrestuar shtetasit:
A. L., 35 vjeç dhe E. M., 32 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Këta shtetas janë kapur në flagrancë, ditën e djeshme, pasi kishin vjedhur një biçikletë. Nga veprimet hetimore dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 19.01.2025, kanë vjedhur me thyerje në një biznes, disa pajisje elektronike.
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit A. L., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 1 armë zjarri pistoletë, municion luftarak, jelek antiplumb, rrip multifunksional si i Policisë, sende të tjera që përdor Policia, 2 biçikleta, laptop, monopatinë dhe sende të tjera.
Vijojnë hetimet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera të kryera nga këta shtetas.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.