Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, i ka dërguar një letër Google-it, duke kërkuar që kompania të rishqyrtojë vendimin për të ndryshuar emrin e Gjirit të Meksikës.
Ky vendim ka ardhur pas një urdhri ekzekutiv të nënshkruar nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili kërkon që Gjiri i Meksikës të quhet Gjiri i Amerikës, një emër që do të shfaqet vetëm në Google Maps për përdoruesit në SHBA, ndërsa në pjesët e tjera të botës do të mbetet emri i tanishëm.
Meksika ka kundërshtuar këtë ndryshim, duke argumentuar se SHBA-ja nuk ka të drejtë ligjore ta ndryshojë emrin e Gjirit, pasi Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtën Ndërkombëtare të Detit përcakton se territori sovran i një shteti shtrihet vetëm deri në 12 milje detare nga bregu i tij.
Sheinbaum ka theksuar se ky ndryshim mund të aplikohet vetëm brenda këtyre 12 miljeve.
Google ka reaguar duke theksuar në një deklaratë se ka një praktikë të gjatë për të përditësuar emrat në bazë të burimeve zyrtare të qeverive.
Kompania ka njoftuar gjithashtu se do të ndryshojë emrin e Malit Denali në Malin McKinley për përdoruesit në SHBA, duke ndjekur një tjetër urdhër të Trump.
Google ka shtuar se përdoruesit e Maps do të shohin emrin e vendit zyrtar në përputhje me vendin ku ndodhen.