Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit me nga një muaj ndaj tre të pandehurve Q.E., M.D. dhe L.D.
Në njoftimin e Themelores thuhet se paraburgimi u caktua për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” lidhur me veprat penale veprime përgatitore për “vrasjen e rëndë”, veprën penale “Detyrim”, veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe veprën penale “Zjarrvënie”.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate, sepse nëse të pandehurit Q.E., M.D. dhe L.D., lihen në liri, ekziston rreziku i ikjes së tyre, duke pasur parasysh rrethanat dhe mënyrën se si janë kryer veprat penale, mund lehtë të arratisen për t’i ikur përgjegjësisë penale”, thuhet në njoftim.
“Gjykata poashtu vlerësoi se nëse të pandehurit lihen në liri, të njëjtit mund të ndikojnë në prova, po ashtu mund të ndikojnë edhe në dëshmitarë si dhe mund të përsërisin veprat e njëjta penale ose mund të kryejnë sërish vepra tjera penale në rrethana të njëjta ose më të rënda”.
Gjykata konsideron se pesha e veprave penale është e natyrës së rëndë dhe rrezikshmëria shoqërore e tyre është tejet e lartë, andaj sipas gjykatës caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë rast penal.
Policia ditë më parë të dyshuarit i arrestoi në Pejë dhe në Prishtinë, teksa u tha se janë zënë në flagrancë duke pranuar armët për kryerje të veprës. Policia gjatë kontrollit në lokacione të ndryshme, kanë gjetur dhe sekuestruar dy armë, municion të kalibrave të ndryshme si dhe disa dëshmi tjera të rëndësishme.