Pasi kaloi ditë të tëra pa ujë në një bodrum të rrënuar në vijat e frontit, ushtari ukrainas me emrin Vladyslav, ua ktheu shpinën bashkëluftëtarëve dhe urinoi në një shishe. Ai kujton se “kur urina u ftoh, e piva”.
Vladyslav, 23 vjeç, ishte njëri nga dy luftëtarët që ishin urdhëruar t’i ruanin pozicionet për dy javë në verën e vitit 2024 në Klishçivka, një fshat në lindje të rajonit të Donjeckut. Por, ç’është e vërteta, këta dy djem i kaluan dy muaj në ato pozicione, ku, kohë pas kohe, uria dhe etja ishin armike më të frikshme sesa ekipet sulmuese ruse që po përpiqeshin t’i shpartallonin ata.
Klishçivka ofron pikëpamje strategjike të peizazhit përreth dhe për të është luftuar vazhdimisht prej nëntorit të vitit 2022. Qindra njerëz jetonin në këtë vend para luftës, por luftimet e kanë shkatërruar atë plotësisht dhe tani fshati është nën kontrollin e rusëve.
Vladyslav tha për Radion Evropa e Lirë (REL) se ai dhe bashkëluftëtari i tij ishin urdhëruar ta ruanin një bodrum të papushtuar në këtë fshat.
“Ata më thanë: ‘Shko dhe zë pozicion, sepse nuk ka asnjëri tjetër atje’”, tha ai.
Megjithatë, brenda bodrumit, dyshja gjeti një ushtar ukrainas që e kishte zënë uria, gjendja e të cilit parathoshte atë që do të përjetonin vetë ata.
“Ishte aq i dobët dhe i rraskapitur saqë kockat i dukeshin përmes lëkurës”, tregoi ai.
Ushtari ukrainas qëndroi me të sapoardhurit për të parë gjithçka që do të pasonte.
Në pozicione aktive të vijës së frontit, si ai që mbante Vladyslavi dhe bashkëluftëtarët e tij, dronët zbulues të armikut vëzhgojnë vazhdimisht për ndonjë lëvizje, dhe sapo ta vërejnë ndonjë ushtar, u dërgojnë të dhëna ekipeve të artilerisë dhe dronëve me pamje të parë (FPV).
Si pasojë, furnizimi zakonisht bëhet me dronë, por në mot të lagësht ose me stuhi, kuadrokopterët nuk mund të fluturojnë dhe ushtarët mbeten pa ushqim dhe ujë.
“Fillimisht, ne u përpoqëm të kujdeseshim për shokun tonë të rraskapitur, por që ditën e parë na mungonte uji”, tha Vladyslav për REL-in.
Ai shtoi: “Patëm marrë shumë ujë me vete, por gjatë rrugës për në pozicion i dhamë ujë djemve që takuam, kështu që arritëm vetëm me një shishe”.
Në javën e dytë, uji u harxhua tërësisht dhe ushtarët filluan ta pinin urinën e vet.
“Menduam, ja ku jem: duhet të bëjmë diçka”, tha Vladyslavi. Ai filloi të gërvishte shenja në murin e bodrumit për të numëruar ditët që kalonin.
Kur selia e tyre fushore në afërsi u godit nga një sulm rus, komunikimi me botën e jashtme u ndërpre plotësisht.
Megjithëse ishte urdhëruar të mos largohej nga bodrumi, Vladyslavi thotë: “Doja aq shumë të pija, saqë kur u çova në këmbë, po dridhesha”.
Pasi doli me vështirësi nga pozicioni i shkatërruar nga zjarri i artilerisë, ai gjeti një bunar aty pranë.
“Përdora një helmetë për të nxjerr ujë. Herën e parë që solla pak në bodrum, ai ujë i thjeshtë bunari më dukej i ëmbël”, rrëfeu ai.
Por misioni i dëshpëruar për ujë u pikas nga dronët zbulues të Rusisë.
Rusia filloi t’i godisë pozicionin ukrainas me dronë, mortaja dhe artileri. Pastaj, burrat ukrainas u sulmuan me gaz. Përdorimi i gazit lotsjellës të ndaluar është konfirmuar në fushëbetejën ukrainase, dhe ushtarët thonë se gazi shpesh hidhet nëpërmjet bombolave nga dronët.
“Aq shumë kishte, saqë po depërtonte edhe përmes maskës sime të gazit. Kisha vështirësi të merrja frymë”, thotë Vladyslavi. “E vetmja gjë që më shpëtoi ishte kur kuptova se duhej të merrja frymë qetësisht, se nuk mund të bëja panik. Vetëm kur merrja frymë ngadalë, filtri i maskës funksiononte”.
Mes sulmeve, uria filloi t’i kapë ushtarët dhe ata shikonin sesi trupat e tyre bëheshin “të shëmtuar” nga kequshqyerja.
Vladyslavi vlerëson se pesha e tij ra nga rreth 75 kilogramë në vetëm 50.
Kur më në fund arritën dronët në pozitat e tyre dhe hodhën ushqim dhe ujë, Vladyslavi kujton: “Ndiheshim si në parajsë. Atje mësova si të gatuaj; ata hodhën pure patatesh, makarona dhe biskota.”
Një grup luftëtarësh rusë, që po kalonin përmes fshatit, u vërejtën nga dronët ukrainas dhe u sulmuan.
Trupat ruse hodhën shumicën e asaj që po e mbartnin dhe vrapuan për t’u strehuar. Vladyslavi thotë se u ngjit nga pozita e tij në bodrum dhe gjeti një çantë që ishte braktisur.
“Brenda kishte një telefon, biskota, gjellë dhe disa drithëra. Djemtë ishin shumë të lumtur që kishte ushqim aty”, tregon ai.
Gjatë një përpjekjeje tjetër, trupat pushtuese ruse u munduan ta sulmonin bodrumin ku Vladyslavi dhe shokët e tij ishin strehuar.
“Ne e lajmëruam me radio komandën se po sulmoheshim, pastaj u përgatitëm për t’u mbrojtur. Një nga dronët tanë u erdhi dhe filloi të hidhte bomba mbi ta. Kur një nga luftëtarët rusë u afrua në pozitat tona, e qëlluam me pushkë dhe me mitralozin tonë të lehtë. Mund ta shihni ende gjakun e tij në beton”, thotë ai.
Pas një muaji të plotë, atyre u ishte thënë se do të zëvendësoheshin më në fund, por situata e pasigurt në fushën e betejës bëri që rotacioni të shtyhej edhe më shumë. Me ushqim dhe ujë të pakësuar dhe nën bombardime të shpeshta, Vladyslavi thotë se ngarkesa shpesh ishte e vështirë për t’u duruar.
“Ka pasur momente kur isha nën kaq shumë trysni sa doja të vetëvritesha. Shokët e mi folën për çdo temë që mund të mendonim. Ishte e vështirë; të tre ne po qanim. Thjesht donim të ktheheshim në shtëpi”, rrëfeu ai.
Lehtësimi emocional për ushtarin e ri erdhi kur gruaja e tij, e cila jeton jashtë Ukrainës, arriti ta kontaktonte një herë përmes telefonit.
“Ajo telefonoi komandantin tim, pastaj selia na lidhi përmes radios dhe biseduam. Isha shumë i lumtur saqë ndieja sikur po fluturoja në hapësirë. Më pas, fola me vajzën time. Në atë moment mund të harroja gjithçka tjetër”, tregon ai.
Kur urdhri përfundimtar erdhi që ata të largoheshin nga pozicionet e tyre pas pak më shumë se dy muajsh, ata ecën natën në heshtje, të shpërndarë herë pas here nga dritat misterioze dhe zjarret, drejt atyre që shpresonin të ishin linjat e tyre.
Si pasojë e një sulmi nga droni rus, ata u ndanë, dhe Vladyslavi tek pas agimit të ditës së nesërme mbërriti në një komandë relativisht të sigurt.
Shokët e tij u plagosën gjatë evakuimit, por gjithashtu shpëtuan, përfshirë ushtarin që ata e kishin gjetur në bodrum dy muaj më parë.
Prioriteti i tij i parë ishte ushqimi.
“Telefonova gruan time vetëm për t’i thënë që ia dola, pastaj i thashë: ‘Më jep 10 minuta, do të shkoj të ha.’ E grisa çdo gjë: sallam, pure patatesh, makarona”, tregon ai. “Çfarëdo që mund të kapja me duar, e kapërdija shpejt”.
Thirrja në ushtri në Ukrainë është aktualisht për burrat 25 vjeç e lart, që do të thotë se Vladyslavi mund ta kishte shmangur shkuarjen në luftë.
Por, edhe pas asaj që e përjetoi në Klishçivka, ai thotë: “Dua të kthehem dhe t’u ndihmoj djemve. Dua të jem në vijën e frontit dhe të dëgjoj përmes radios: Ju lumtë, djem, urra, lufta ka mbaruar’, pastaj të shoh të gjithë duke dalë dhe duke u larguar”.
“Dua që të gjithë të kthehen në shtëpi – të gjithë”, thotë ushtari./REL