Kandidatja për deputete e LDK-së, Hykmete Bajrami, i ka reaguar ministrit të Financave, Hekuran Murati, i cili kritikoi programin e LDK-së për ekonomi.
Murati, i cili po ashtu është kandidat për deputet nga Vetëvendosje, më herët tha se programi i LDK-së për ekonomi do t’i bëjë gjeneratat e ardhshme “qiraxhinj në vend të vet”.
Bajrami tha se Murati po tenton të largojë vëmendjen nga bisedat në WhatsApp që u publikuan dje e të cilat shfaqnin bisedat mes kryeministrit Albin Kurti, ish-kryeshefut të KEK-ut, Nagip Krasniqi e disa të tjerëve.
Bajrami tha se duan të marrin borxh publik meqë “synojmë të ndërtojmë projekte që do t’i mbeten Kosovës për 100 vitet e ardhshme”.
“Ne nuk pranojmë të vijmë në pozitën tënde që pas katër vitesh mandat dhe 12 miliardë euro buxhet të shpenzuar, të mos jesh në gjendje të listosh as tre projekte kapitale”, tha Bajrami, ndërsa numëroi planet e partisë së saj për investime.
Ndërkaq, ajo ka listuar premtimet e Qeverisë Kurti, për të cilat tha se nuk u mbajtën dhe se në vend të tyre ka korrupsion, nepotizëm e shkelje të Kushtetutës.
“Unë edhe të mirëkuptoj ty dhe kryeministrin tënd kur dilni në foltore dhe flisni krejt përçart, sepse s’keni çfarë t’u thoni qytetarëve, as çfarë t’u premtoni, sepse s’keni përmbushur asnjë premtim, asnjë të vetëm”, tha Bajrami.
Postimi i plotë:
Ministri i Financave, në tentativë për të larguar vëmendjen nga bisedat në WhatsApp, sot qenka marrë me programin e LDK-së.
Po, Hekuran, ne do të marrim borxh sepse synojmë të ndërtojmë projekte që do t’i mbeten Kosovës për 100 vitet e ardhshme. Po, kemi 5 miliardë euro investime publike, por do të ketë projekte konkrete, si Central me gaz, linjë e gazit nëpër Kosovë, spitali i ri, fshati olimpik, infrastrukturë për kulturë, unaza e jashtme e Prishtinës dhe plot projekte të tjera.
Ne nuk pranojmë të vijmë në pozitën tënde që pas katër vitesh mandat dhe 12 miliardë euro buxhet të shpenzuar, të mos jesh në gjendje të listosh as tre projekte kapitale.
Unë edhe të mirëkuptoj ty dhe kryeministrin tënd kur dilni në foltore dhe flisni krejt përçart, sepse s’keni çfarë t’u thoni qytetarëve, as çfarë t’u premtoni, sepse s’keni përmbushur asnjë premtim, asnjë të vetëm
Në vitin 2021 ju premtuat, ndër të tjera:
Bukë më të lirë
Qumësht më të lirë
Vaj më të lirë
Sheqer më të lirë
Energji elektrike më të lirë
160 çerdhe
4,000 banesa për çiftet e reja
5 shtëpi për të moshuarit
Bankë zhvillimore
Digjitalizim të arsimit
Luftë kundër korrupsionit
Punë dhe drejtësi
Sot pas katër viteve mandat me 51% të votave në Kuvend, me 12 miliardë euro buxhet dhe me të gjitha nivelet e pushtetit çfarë keni për t’u thënë qytetarëve? S’ju ka mbetur tjetër veçse të tregoni barcoleta, të fyeni dhe të ofendoni, SEPSE gjatë mandatit tuaj:
Çmimi i ushqimeve u rrit mbi 50%,
U dyfishua çmimi i energjisë elektrike,
Nuk u ndërtuan as 6 çerdhe,
Asnjë banesë për çiftet e reja,
Asnjë shtëpi për të moshuarit,
S’ka bankë zhvillimore, përkundrazi, fitimi i bankave komerciale është rritur në mënyrë eksponenciale,
Për arsimin, më mirë s’po komentoj,
Korrupsioni ka lulëzuar, tenderat milionësh jepen nëpër grupe në ËhatsApp,
Keni lidhë 2 123 kontrata njëburimore,
Vetë kryeministri mbron Martinin, Nagipin e të tjerë,
Kushtetuta është shkelur mbi 10 herë,
Ka lulëzuar nepotizmi,
Andaj, po Hekuran, më 9 shkurt qytetarët do të votojnë për ndryshim, do të votojnë për projekte të mëdha, do të votojnë kundër korrupsionit.
Do të votojnë me shumicë për LDK, numrin 124.