Udhëzimet e Kurtit për “spastrime” dhe tenderët, si kontrollohej Krasniqi që u vu në krye të KEK’ut me bekim të partisë

by Nexhat

Ish-kryeshefi i KEK-ut po përballet me dy aktakuza. Qeveritarët që e morën në mbrojtje vazhdimisht që prej arrestimit të tij në vitin 2023, i kishin dhënë jo pak sugjerime e porosi. Kryeministri Albin Kurti e udhëzonte për “spastrime” në ndërmarrjen më të madhe publike në vend, ndërsa zëvendësi i tij, Besnik Bislimi, i kërkonte t’i jepte tender direkt një kompanie që nuk i plotësonte kushtet. Po kaq direkt në kontrollin ndaj Nagip Krasniqit dëshmohet të ketë qenë edhe Dejona Mihali, koordinatorja e komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje. Të gjithë


Nagip Krasniqi, ish-kryeshef i Korporatës Energjetike të Kosovës, u raportonte vazhdimisht kreut të Qeverisë, Albin Kurti dhe vartësve të tij edhe në parti për punët dhe telashet në KEK. Para disa ditësh, atij iu desh të paraqitej sërish në gjykatë, ndërsa po përballet me dy aktakuza për korrupsion e keqpërdorim të detyrës.

banner

Gazetari Lirim Mehmetaj publikoi të hënën në Facebook një fragment bisede ku shihet se në një grup në WhatsApp me kryeministrin Albin Kurti, ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ministrin e Financave, Hekuran Murati e koordinatoren e komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi i kërkon Krasniqit që për riparimin e kalldasë së bllokut A5 t’i jepet tenderi një kompanie që nuk i plotësonte kushtet.

“Sot komisioni i ka shqyrtuar ofertat: “STEAG nuk e ka dorëzuar dosjen sipas specifikacionit dhe sipas komisionit duhet me diskualifku. “Litwin S.A” një kompani zvicerane po ashtu nuk e ka dorëzuar dosjen sipas specifikacionit dhe sipas komisionit duhet me diskualifiku. I bie që vetëm INTERING (Kosovë) i plotëson kriteret. Këta kanë kërkuar 120 ditë për kryerjen e punëve”, shkruan Krasniqi në këtë grup

Përkundër se njoftohet se vetëm kompania INTERING i plotëson kriteret, Bislimi i shkruan kështu kryeshefit: “A ma mirë me i respektu specifikacionet e ma na kushtu 20 milionë më shumë për shkak të vonesave, apo me marrë dikë me direct contrat që e kryen për 60 ditë”.

“Pra, Bislimi kërkon që të shkelet ligji, të merret një kompani që nuk i ka plotësuar kushtet, madje të thirret në negocim të mbyllur dhe të shmanget ligji e të mos angazhohet kompania që plotësonte kushtet”, shkroi Mehmetaj në postim.

Sugjerimi i Bislimit shkon në vend dhe kompania “Litwin S.A” që s’i plotësonte kriteret, thirret për negocim dhe i jepet tenderi direkt.

“Më e rënda, kjo kompani më pas nuk kryen punën për të cilën ishte angazhuar fare dhe Kosova përfundon me miliona e miliona humbje nga blerja e energjisë elektrike. Del se me këtë kompani zyrtarë të qeverisë së Kosovës kishin njohje paraprake, prandaj edhe vjen ndërhyrja e Bislimit”, shkroi Mehmetaj.

Fragmente bisedash të tjera nga ky grup i publikoi Paparaci, mediumi i gazetarit Vehbi Kajtazi. Aty dëshmohej se kryeministri është në dijeni dhe madje i përfshirë në pothuajse gjithçka që ndodhi dhe u trjatua në ndërmarrjen më të madhe publike në vend.

Në një rast, Albin Kurti e porosiste Nagip Krasniqin për të bërë “spastrime” në KEK.

Caku i shkarkimeve, Paparaci shkruan se besohet se ishin ata që s’i përkisnin partisë në pushtet.

Kurti frikësohej se do të “bëhej vonë” për heqjen e njerëzve që ishin të padëgjueshëm ndaj pushtetit, pasi interesohej edhe për zhvillime rreth një konsorciumi që kishte fituar tender në të kaluarën në KEK.

“Drejtor, po nuk shkarkove e spastrove tash në KEK, as nuk do të ketë vlerë e as mundësi më vonë…”, shkruan Kurti

Krasniqi i përgjigjet pozitivisht, duke i thënë se të nesërmen do të fillonte të merrej me atë punë.

Paraprakisht, kur Kurti fillimisht pyet në grup se a e njeh ndonjëri kryeinxhinierin Bekim Lushaku në TC Kosova A dhe se çfarë mendojnë për të, Mihali përgjigjet e para: “Po, më manipulant nuk mund të bëhet. Për të mos thënë fjalë më të rënda”.

Bekim Lushaku, kryeinxhinieri i KEK-ut i përmendur në bisedën e Kurtit dhe eksponentëve të tjerë të pushtetit, është një inxhinier i elektro-teknikës, që siç shkruan Paparaci, është i punësuar prej disa vitesh në KEK.

Edhe më herët ishin publikuar biseda të Mihalit me Krasniqin, ndërsa zyrtarja e fuqishme e partisë në pushtet i jep atij sugjerime dhe udhëzime të ngjashme.

Nagip Krasniqi është pjesë e rëndësishme e LVV-së dhe për gati dy vjet e drejtoi KEK-un pasi partia e tij erdhi në pushtet.

Kryeshefi i KEK-ut ishte arrestuar në prill të vitit 2023 me urdhër të Prokurorisë Speciale nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës, ushtrimit të ndikimit dhe konflikit të interesit. Një njësi e veçantë e hetimeve ia kishte bastisur atij zyrën dhe dy banesa në Prishtinë

Krasniqi njëherë kishte mohuar se kishte qenë anëtar i LVV-së, por këtë nuk e mohon sot partia në pushtet.

Emri i Krasniqit ishte lakuar edhe në skandalin e shpëlarjes së parave, pjesë e së cilit u bë ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj – një skandal që përfshin miliona euro transaksione nëpër banka dhe qindra mijëra të bartura ‘cash’ mes Kosovës, Malit të Zi e Sllovenisë.

Prokuroria Speciale fillimisht pati nisur një hetim preliminar për mosdeklarim apo deklarim të rremë të pasurisë, ndërsa Krasniqi më vonë do të përfshihej në raportet e hetuesve të Policisë. Dyshohej për përfshirje në një rast korruptiv. Krasniqi i kishte nënshkruar dy marrëveshje të cilat dyshohet t’i kenë shkaktuar dëme buxhetit të shtetit.

Nagip Krasniqi kishte realizuar një vizitë në Kroaci në mars të vitit të kaluar, atje ku Berishaj shërben si ambasador i Kosovës. Hetuesit policorë dyshonin se ata dy ishin takuar atje.

Prokuroria Speciale e Kosovës në gusht të vitit të kaluar ngriti aktakuzën e parë kundër ish-kryeshefit ekzekutiv të Korporata Energjetike e Kosovës për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Aktakuza thotë, mes trejash, se Nagip Krasniqi ia kishte mundësuar tregtimin e energjisë një kompanie sllovene në Kosovë, e cila nuk kishte licencë, duke dëmtuar kështu KEK-un në vlerë rreth 3 milionë e 230 mijë euro

Në fund të vitit 2024, ndaj Krasniqit u ngrit një tjetër aktakuzë. Ai, së bashku me Ymer Dragushën dhe Isuf Zejnën akuzohen për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar, zbulim të fshehtësisë zyrtare, dhe ndihmë në keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Siç ka bërë të ditur Prokuroria Speciale, ata dyshohen që me veprimet e tyre i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerë të 37 milionë eurove

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy