Forcat e Armatosura të Shqipërisë, rrisin më tej kontributin e tyre në misionet ndërkombëtare, duke rritur me plot 30 trupa praninë e tyre në operacionin e Bashkimit Evropian, ALTHEA në Bosnje dhe Hercegovinë.
Një togë nga Batalioni i Këmbësorisë së Lehtë i Forcës Tokësore, do të jetë kontingjenti i parë në këtë operacion, ku vitet e fundit FA kanë kontribuar me oficerë shtabi.
Në ceremoninë e përcjelljes së këtij kontingjenti nga garnizoni i Zall-Herrit, morën pjesë ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani, ambasadori i Turqisë në vendin tonë Tayyar Kağan Atay, i Ngarkuari me Punë i BE Andre Rizzo, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjenerallejtënant Arben Kingji, komandanti i Forcës Tokësore gjeneralmajor Ilir Xhebexhia etj.
Në fjalën e tij, ministri Vengu theksoi se FA kanë rritur ndjeshëm pjesëmarrjen në misionet dhe operacionet ndërkombëtare, duke u rreshtuar me politikat e BE në kuadër të anëtarësimit në Union. Forcat e Armatosura arrijnë shifrën e 500 efektivëve të dislokuar në mënyrë permanente në misione jashtë vendit.
Gra dhe burra, janë të angazhuar çdo ditë, në mbarë Evropën, në Afrikë dhe në Lindjen e Mesme. Përmes këtij kontributi, Shqipëria, jo vetëm dëshmon se linjëzohet 100% me politikën e jashtme të sigurisë së BE, por ky është një linjëzim me vepra. Dhe kur e shikojmë se disa prej vendeve të BE janë tërhequr nga ky mision, ndërkohë që Shqipëria po merr përgjegjësi shtesë, e kuptojmë edhe më mirë se stabiliteti dhe paqja në rajonin tonë të munduar, është fryt i kompromiseve të vështira
Më tej, ministri i Mbrojtjes shprehu falënderimet për qeverinë dhe Forcat e Armatosura turke, nën komandën e të cilave do të shërbejë edhe kontingjenti ynë:
“Shpreh mirënjohjen time të thellë për sa i përket të gjithë angazhimit dhe mbështetjes që Republika e Turqisë dhe Forcat e Armatosura turke na ofrojnë në këto misione të përbashkëta dhe kjo është një dukuri e parë në fakt që të gjithë aleatët e njohin dhe ia njohin Shqipërisë dhe Forcave të Armatosura, aftësinë tonë në fakt që të ndërveprojmë në misione stabiliteti dhe paqeruajtëse me forcat aleate. Ju do të ndërveproni në kuadër të kompanisë të Forcave të Armatosura turke, e cila ofron të gjithë mbështetjen logjistike”, – iu drejtua trupave të rreshtuar ministri, i cili nuk nguroi te shprehë krenarinë dhe respektin për punën dhe përkushtimin e ushtarakëve tanë, brenda dhe jashtë vendit.
Nga ana e tij, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani, e konsideroi angazhimin e trupave tanë në operacionin ALTHEA më tepër sesa një detyrë ushtarake:
“Ky angazhim nuk është thjesht një detyrë ushtarake, por një dëshmi e qartë e përkushtimit tonë të palëkundur ndaj sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe ndërkombëtar. Pjesëmarrja jonë në këtë mision pasqyron vlerat që ne ndajmë me partnerët tanë; paqen, bashkëpunimin dhe sigurinë kolektive”.
Ambasadori turk Atay, theksoi bashkëpunimin e hershëm mes forcave të armatosura të të dy vendeve, të cilat kanë shërbyer krah njëra-tjetrës në Afganistan, megjithatë e konsideroi nisjen e këtij operacioni të ri si një moment të rëndësishëm në vazhdimësinë e bashkëpunimit dypalësh.
I Ngarkuari me Punë i Bashkimit Evropian Andre Rizzo, vlerësoi rreshtimin e plotë të Shqipërisë me politikën e jashtme dhe atë të sigurisë së BE, duke e konsideruar vendin tonë si një partner të rëndësishëm si mjedisin e sigurisë globale.
Kontingjenti i parë shqiptar në operacionin ALTHEA në Bosnje dhe Hercegovinë, përbëhet nga 30 trupa, mes të cilave një vajzë dhe do të shërbejë për rreth 6 muaj në Camp Butmir në Sarajevë