Ylli u nda nga jeta në moshën 87-vjeçare pas një sëmundjeje të shkurtër
Aktorja angleze dy herë fituese e çmimit Oscar, Glenda Jackson, e cila shërbeu edhe si deputete, “u nda nga jeta e qetë” sot në moshën 87-vjeçare. Kjo u bë e ditur nga agjenti i saj. “Glenda Jackson, aktore dhe politikane dy herë fituese e Oskarit, vdiq në mënyrë paqësore në shtëpinë e saj në Blackheath Londër këtë mëngjes pas një sëmundjeje të shkurtër, me familjen e saj pranë”, tha Lionel Larner. E lindur në Birkenhead, pranë Liverpoolit, në një familje të klasës punëtore, Glenda Jackson bëri debutimin e saj në skenë në shfaqjen e Terence Rattigan, “Tavolina të veçanta”. Pas debutimit të saj në film në The Extra Day në 1956, ajo iu bashkua Royal Shakespeare Company dhe punoi me regjisorin Peter Brook në shumë shfaqje, duke përfshirë Marat/Sade të Peter Weiss në rolin e Charlotte Corday, një rol që e luajti gjithashtu në versionin filmik të xhiruar në 1967.
Në vitin 1971 për rolin e saj në Women in Love, ajo fitoi Oscarin e parë i ndjekur nga i dyti në 1974 për A touch of class. Në vitin 1992 ajo hoqi dorë nga karriera e saj artistike për t’iu përkushtuar politikës dhe ishte deputete laburiste në Dhomën e Komunave për Hampstead dhe Kilburn deri në vitin 2015. Në vitin 2016, pas njëzet e pesë vitesh pension nga skena, ajo iu rikthye aktrimit në rolin e Mbretit Lir në Old Vic në Londër dhe në vitin 2018 u kthye në skenën e Nju Jorkut pas një mungese tridhjetëvjeçare në shfaqjen e Edward Albee, Tre femra të gjata, ku fitoi çmimin Tony për aktoren më të mirë. Glenda Jackson ka fituar gjithashtu dy çmime Emmy, dy çmime Bafta dhe një Golden Globe.