Pasi mori miliona nga shteti përmes monopoleve për ndërtimin e rrugëve, “Bageri” i Hysen Durmishit – apo oligarku më i ri i qeverisë Kurti 2 – ia ka mësyrë milionave të Telekomit të Kosovës.
Një kontratë e lidhur në mars të vitit 2023 do t’ia sigurojë Bujar Shabanit dhe kompanisë së tij “Bageri”, 1 milion e 4 mijë e 820 euro, për 60 muaj qira.
Një objekt i vogël në sheshin “Zahir Pajaziti”, që ndodhet saktësisht prapa shtatores së heroit kombëtar, është marrë me qira nga Vala, e cila do t’i paguajë pronarit të “Bagerit” 16 mijë e 747 euro në muaj, duke përfshirë edhe taksat ndaj shtetit.
Deri më tani, nga buxheti i Valës në llogarinë bankare të Bujar Shabanit, i cili është ish-shef i Hysen Durmishit dhe miku i tij i ngushtë, janë derdhur 401 mijë e 931 euro.
Në vitin e parë, që nisi më 1 mars 2023, “Bageri” mori nga Telekomi 167 mijë e 470 euro. Vitin e kaluar, Vala i pagoi 200 mijë e 967 euro, ndërsa për dy muajt e parë të 2025, Bagerit iu dhanë 33 mijë e 494 euro.
Telekomi i Kosovës, përmes një komunikimi me postë elektronike, ka pranuar se për marrjen me qira të objektit nuk janë zhvilluar procedura të prokurimit.
Por, ka refuzuar të tregojë emrat e anëtarëve të komisionit për përzgjedhjen e ofertuesve, duke u përgjigjur në mënyrë të përgjithshme: “Anëtarë të Komisionit kanë qenë zyrtarë të departamenteve të ndryshme të Telekomit: Shitje, Ligjor, Financa, Logjistikë”.
Kjo kontratë është nënshkruar nga kryeshefja Burbuqe Hana, si autoriteti i vetëm për nënshkrimin e kontratave në emër të Telekomit të Kosovës.
Si erdhi Burbuqe Hana në krye të Telekomit?
Burbuqe Hana erdhi si Ushtruese e Detyrës e Kryeshefes së Telekomit pas ardhjes në pushtet të Vetëvendosjes. Zyrtarisht, ajo u emërua kryeshefe ekzekutive për një mandat 3-vjeçar në dhjetor të vitit 2022, pas presioneve të mëdha ndaj bordit të Telekomit.
Kjo, pasi Komisioni Britanik, i cili mori pjesë në rekrutimin për këtë pozitë, kishte propozuar për kryeshef Kreshnik Domin, i cili deri në atë kohë mbante pozitën e drejtorit të Shitjes në Telekomin e Kosovës.
Si u shpërblye “Bageri” me kontratën milionëshe?
Para se të vendoste që ta shpërblente “Bagerin” me një kontratë milionëshe, Burbuqe Hana kishte formuar një komision për të hulumtuar objekte për marrje me qira.
Telekomi është munduar të mbajë të fshehur emrat e këtij komisioni nga KIKS Kosova. Komisioni kishte për detyrë të verifikonte nëse objektet e shënuara i plotësonin kushtet teknike
Në krye të tij, Hana vendosi një tjetër militant të partisë – Fatmir Bllacën, i cili, përveç të tjerash, është shok gjenerate i Besnik Bislimit. Dhe natyrisht, kur bën favore për Vetëvendosjen dhe e ke dost Besnik Bislimin, avancimet nuk mungojnë.
Madje, mund të marrësh pozitën e menaxherit edhe nëse ke 18 pikë më pak se kolegu yt. Dhe pikërisht kjo ndodhi me Fatmir Bllacën, i cili në janar të 2024 u avancua në pozitën e Menaxherit të Shitjes Operative.
Në tetor të 2023, ai doli i pasuksesshëm në këtë konkurs, ku Blerim Bales ishte kandidati më i suksesshëm me 82 pikë. Por për dostin e Besnikut duhej një zgjidhje – dhe konkursi u anulua.
Telekomi është përgjigjur shkurt për këtë rast, duke thënë: “Bllaca është zgjedhur në pozitën e Menaxherit të Shitjes Operative përmes procedurave të konkursit të brendshëm”.
I kontaktuar në telefon, Fatmir Bllaca ka refuzuar të flasë me emisionin.
KIKS Kosova ka telefonuar edhe Blerim Balën, për ta pyetur nëse është e vërtetë që pozita e tij iu dha si shpërblim Fatmir Bllacës. Por ai nuk ka pohuar e as mohuar asgjë, duke na referuar te zyra për informim e Telekomit të Kosovës. /Klankosova.tv/