Posta e Kosovës ka marrë vendim që punëtorëve që kanë marrëdhnie të rregullt dhe aktive në këtë ndërmarrje publike, t’u jap një bonus prej 100 eurove.
Bonusi sipas vendimit i cili është marrë në mbledhjen e datës 23.01.2025, iu ka dalë punëtorëve me pagat e muajit janar, në prag të zgjedhjeve parlamentare, të cilat do të mbahen më 09.02.2025.
KALLXO ka arritur që ta sigurojë vendimin e marrë nga bordi. Në dokumentin e siguruar nga burime brenda Postës së Kosovës, thuhet se vendimi u mor pas rekomandimit të Kryeshefes Ekzekutive, Nora Rraci.
![](https://informim.net/wp-content/uploads/2025/02/1-2.jpeg)
“Pas shqyrtimit të zhvillimeve pozitive në ndërmarrje, progresit të arritur deri më tani dhe proceseve që pritet të realizohen në të ardhmen si dhe duke marrë parasysh faktorët e tjerë të rëndësishëm si inflacioni dhe rritja e kostove të jetesës, Kryeshefja Ekzekutive e ndërmarrjes propozoi dhënien e një bonusi për të gjithë punëtorët e ndërmarrjes”- thuhet në vendim
Gjithashtu në po të njëjtin dokument përmendet edhe fakti se ky bonus ka për qëllim edhe motivimin dhe angazhimin e punëtorëve të Postës së Kosovës.
Bordi i Postës së Kosovës përbëhet nga Gëzim Paci – kryesues; Safije Beseni – anëtare; Sebahate Krasniqi – anëtare; Visar Nura – anëtar dhe Hyrmete Mydydi – anëtare. Bordi është emëruar në janar të vitit 2022.
Gëzim Paci është emëruar kryesues i Bordit të Postës së Kosovës në mbledhjen e Qeverisë Kurti të mbajtur më 23.09.2024.
Kurse Nora Rraci është emëruar kryeshefe e Postës së Kosovës me vendim të Bordit të Drejtorëve të Postës më 30.11.2022.