Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka gjobitur Lëvizjen Vetëvendosje me 5 mijë euro, pasi kryeministri Albin Kurti në tubimin e mbajtur në Gjilan kërcënoi Prokurorinë e Shtetit.
Kurti pati thënë se Prokuroria e Shtetit do t’i humb zgjedhjet më 9 shkurt, duke shtuar se më 10 shkurt s’ka çka del në punë, transmeton Klankosova.tv.
“E meqenëse partia me e re politike, Prokuroria e Shtetit nuk do të ketë deputetë në legjislaturën e nëntë, atëherë le të shkojë në shtëpi. Më 10 shkurt s’ka pse del në punë se s’janë tu ba punë. Le të rrinë në shpi. E ne do ta kemi gjyqësorin e ri,..e jo më kësi prokurorësh që Radoiçiqit ia heqin urdhërarrestin e e ndjekin Rozeta Hajdarin”, kishte deklaruar Kurti në Gjilan.
“Ju po e shihni që fatkeqësisht Prokuroria e shtetit është shndërruar në një parti politike opozitare, por edhe ata kanë me i humb zgjedhjet më 9 shkurt, sikur partitë opozitare ashtu edhe prokuroria e shtetit që u bë si parti opozitare ka me i humb zgjedhjet me 9 shkurt. Por, a e dini çka, pas 9 shkurtit ata nuk do të kenë as deputet në kuvend qysh mundet me i pas naj parti opozitare, nëse kanë fat me kalu pragun partitë opozitare”, kishte deklaruar Kurti.
PZAP-ja ka vlerësuar se deklarime të tilla janë përdorim i gjuhës së urrejtjes dhe nxitjes.