Në 130 aktivitete gjatë fushatës zgjedhore është raportuar për përdorim të gjuhës nxitëse, urrejtëse apo fyese.Kështu u tha sot nga rrjeti i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim”, ku janë paraqitur të dhënat mbi mbarëvajtjen e tërë fushatës zgjedhore.
Lëvizja Vetëvendosje prin me përdorim të gjuhës së urrejtjes me rreth 21 për qind, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 19 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës 18 për qind dhe Partia Demokratike e Kosovës me 14 për qind.
Në një konferencë për media, Eugen Cakolli nga DnV tha se kjo fushatë është karakterizuar me raste të shpeshta dhe të theksuara të përdorimit të gjuhës së urrejtjes, diskriminuese apo fyese.
“Në plot 130 aktivitete apo gati në çdo të pestin aktivitet të organizuar është raportuar për përdorim të gjuhës nxitëse, urrejtëse apo fyese. Në përqindje, Lëvizja Vetëvendosje prin sa i përket aktiviteteve të zhvilluara në të cilat ka pasur përdorim të gjuhës së urrejtjes me rreth 21 për qind të aktiviteteve të saj. Pas Lëvizjes Vetëvendosje renditet Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që si subjekt në 19 për qind të aktiviteteve të organizuara ka pasur përdorim të gjuhës së urrejtjes apo gjuhës nxitëse. Lidhja Demokratike e Kosovës përmbyll top listën e tri subjekteve me më së shumti aktivitete ku ka pasur gjuhë të urrejtjes, respektivisht në 18 për qind prej tyre. PDK përkundër deklarimeve dhe zotimeve që nuk do të përdor gjuhë të tillë, ka pasur nivelin më të ulët, por sërish është në përmasa shqetësuese apo 14 për qind të aktiviteteve të zhvilluara nga kjo parti politike”, deklaroi ai.
Palestrat sportive, shtëpitë e kulturës, sheshet publike, shkollat dhe objekte të tjera të ngjashme, Cakolli tha se janë vendet e preferuara në të cilat subjektet politike kanë organizuar tubimet elektorale.
“Partia Demokratike e Kosovës është subjekti me më së shumti tubime të organizuara, me gjithsej 206 të tilla, pasuar nga LDK me 202, LVV me 163 dhe AAK me 113 aktivitete. Tubime në numër më të madh se sa zakonisht janë organizuar edhe në mesin e partive që janë organizuar edhe në mesin e partive që përfaqësojnë komunitete të tjera jo shumicë, në mesin e të cilave prin Lista Serbe me 24 tubime, si dhe parti të tjera më të vogla… Më shumë se gjysma e aktiviteteve kanë qenë aktivitete të mesme, maksimalisht deri në 200 pjesëmarrës. Derisa forma e dytë e përzgjedhur nga ana e partive politike janë tubimet e vogla deri në 50 pjesëmarrës, të cilat janë organizuar nëpër lagje, fshatra dhe lokacione të tjera. Tubimet e mëdha deri në 500 pjesëmarrës përbëjnë 15 për qind të numrit të aktiviteteve që si formë e të bërit fushatë ka qenë më e intensifikuar gjatë javës së fundit për shkak edhe të aktiviteteve përmbyllëse nga ana e subjekteve politike”, tha Cakolli.
Demokracia në Veprim ka monitoruar mbi 600 aktiviteteve gjatë fushatës zgjedhore, theksoi Ismet Kryeziu nga ky rrjet.
“Gjatë kësaj kohe përfshirë edhe komunat e veriut kemi parë që kemi pasur një garë politike në të gjitha komunat, për herë të parë. Ku në këto komuna kanë garuar gjashtë parti politike serbe dhe mund të them se është shënuar një diversifikim më të madh të konkurrencës brenda këtij komuniteti për dallim nga herët tjera të garës zgjedhore. Gjatë kësaj fushate çfarë kemi parë, një aspekt pozitiv i fushatës ka qenë zhvillimi dhe diskutimi për debatet dhe prezantimet programore të cilat i kanë zhvilluar partitë politike dhe kandidatët e tyre edhe pse shpesh herë nuk ka pasur një analizë të theksuar mbi çështjet e caktuara”, tha ai.
Kryeziu u shpreh se dezinformimi ka qenë një pjesë shtesë gjatë kësaj fushate, e cila kryesisht është realizuar në rrjetet sociale. Sipas tij, mediat në disa raste janë penguar që të përcjellin tubimet elektorale, për çka shtoi se edhe partia në pushtet ka sulmuar analistët dhe mediat e caktuara.