Arrestimi i Veliajt, Rama ngre pikëpyetje ndaj Prokurorisë së Posaçme

by Nexhat

Në Shqipëri, kryeministri Edi Rama shprehu ngriti sot pikëpyetje ndaj Prokurorisë së Posaçme pas arrestimit të djeshëm të kretarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, dhe lënies në arrest shtëpie të bashkëshortes së tij Ajola Xoxa. Të dy dyshohen për korrupsion në 9 raste e pastrim parash, ndërsa zonja Xoxa dhe për mosdeklarim të pasurisë. Zoti Rama foli për frikësim të dëshmitarëve nga ana e hetuesve, ndërsa e cilësoi të “çuditshëm” hetimin ndaj kryebashkiakut.

Në bashkëbisedimin e tj me komentuesit në rrjetet sociale, zoti Rama deklaroi se zgjedhja për të mos komentuar veprimet e institucioneve të drejtësisë, nuk mund të vijojë më, tani që sipas tij, pas 5 vitesh, këto institucione janë konsoliduar. “Asnjë pendesë, asnjë pendesë për heshtjen këto 5 vjet, por me shumë gjasë besoj, në dritën e zhvillimit më të fundit, heshtja jonë është keqkuptuar dhe nga disa konsumatorë të reformës. Pra, këta konsumatorë, disa konsumatorë duhet tua kursejnë shtetit dhe shoqërisë çorbën e derrit në menunë e drejtësisë”, deklaroi zoti Rama

banner

Kryeministri u shpreh se “ndarja me komunitetin nga sistemi i drejtësisë dhe njëkohësisht me publikun hapur, në mënyrë transparente e opinioneve kritike është gjëja më e dobishme që tani mund të bëjmë ne në këtë fazë të re për të mos lejuar që në emër të qëllimit tonë madhor të pavarësisë së drejtësisë nga pushteti politik, individë të caktuar t’i japin vetes të drejtën e shpërdorimit të detyrës së prokurorit apo të gjykatësit, duke shkelur kufijtë ndarës mes pushteteve kushtetues”.

Për rastin e zotit Veliaj, kryeministri tha se ishte shqetësuar seriozisht nga “frikësimi i disa personave të marrë në pyetje. Njerëz të artit dhe të kulturës që u gjendën krejt pafajësisht në situata të denja vetëm për letërsinë e Franc Kafkës”, deklaroi ai duke shtuar se nuk donte të hynte më në detaje e të mos nxitohej. “Do mundohemi të krijojmë një opinion të konsoliduar për akt akuzën për të cilën gjykatësi ka firmosur t’ia heqi kokën nga shpatullat bashkisë së Tiranës duke e lënë praktikisht pa drejtim një kryeqytet me 1001 punë në ditë, pa gjyq. Pa gjyq!”. Sipas tij “prezumimi i pafajësisë nuk mund të jetë një rresht aty në fund ku pasi e shqyen dikë dhe pasi e merr pa gjyq nga detyra dhe e çon e mbyll brenda dhe jo nga një detyrë dosido por nga drejtimi i kryeqytetit, shkruan aty “Prezumohet i pafajshëm”. Jo. Këto gjëra janë pak si tepër, por megjithatë do t’i shikojmë me maturi dhe me qetësi”.

Ashtu si dhe vetë zoti Veliaj, kur pas daljes nga Prokuroria e Posaçme në fund të dhjetorit, i mëshoi faktit se ishte denoncuar nga një persona anonim, edhe zoti Rama foli “për një proces hetimor të çuditshëm. Për ta thënë minimalisht siç e shoh, shumë të çuditshëm. I nisur nga një novelë pafundësi fletësh. Novelë anonime dorëzuar në shkurtin e kaluar në SPAK që ka pjellë një roman 400 faqesh afërisht ku autorët e veshur me pushtetin e drejtësisë, prokurori dhe gjykatësi paraprak bashkë kanë arritur në pikën që edhe nënën e një fëmije 6 vjeç ta dënojnë me arrest shtëpie pasi babain e kanë çuar në paraburgim”.

Ndërsa mbetet e paqartë se cili do të jetë pozicioni i qeverisë, në lidhje më të ardhmen e drejtimit të Bashkisë së Tiranës, kryeministri Rama, ishte vetë sot paradite në mjediset e saj. Në dalje ai u pa i shoqëruar nga një prej nënkryetarëve të Bashkisë, ndërsa nuk ka detaje mbi vizitën e tij. /VOA

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy