Zelensky jep “OK”: E shkëmbejmë tokën e kapur në Kursk me territorin e pushtuar nga Rusia

by informim peje

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se synon ta ofrojë tokën ruse që forcat ukrainase e kanë kapur në rajonin Kursk të Rusisë në këmbim të territorit të pushtuar nga Rusia, nëse Ukraina dhe Rusia ulen për të biseduar për përfundimin e luftës.

“Ne do ta shkëmbejmë një territor për një territor tjetër”, tha Zelensky në një intervistë për gazetën britanike Guardian.

banner

Megjithatë, ai shtoi se nuk e di se cilin territor do ta kërkonte Kievi nga Moska në këmbim të pjesës së rajonit të Kurskut.

“Nuk e di, do ta shohim. Por, të gjitha territoret tona janë të rëndësishme, nuk ka prioritet këtu”, tha Zelensky në intervistën e publikuar më 11 shkurt.

Në të kaluarën, Zelensky kishte hedhur poshtë mundësinë e dorëzimit të territorit të pushtuar nga Rusia, e cila e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në vitin 2022.

Trump paralajmëron Kievin se “Ukraina mund të bëhet ruse një ditë”

Zelensky, i cili do të takohet me nënpresidentin amerikan JD Vance dhe zyrtarë të tjerë amerikanë më 14 shkurt në Konferencën e Sigurisë në Munih, tha se është i gatshëm për bisedime serioze.

Intervista u publikua vetëm disa orë para një tjetër sulmi vdekjeprurës me raketa ruse në Kiev.

Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitaly Klitschko, tha se raketat goditën në orët e para të 12 shkurtit, duke e vrarë të paktën një person dhe duke plagosur tre të tjerë.

“Rusia kreu një sulm me raketa në Kiev dhe rajonin e Kievit”, tha Andriy Yermak, kreu i zyrës së Zelenskyt. “Kështu dëshiron ta përfundojë luftën [presidenti rus Vladimir Putin]”, shtoi ai në Telegram.

Shërbimet e urgjencës u thirrën në të paktën katër qarqe të kryeqytetit ukrainas, dhe administrata ushtarake tha se shpërthyen zjarre në disa ndërtesa, përfshirë në ndërtesa banimi.

Sulmet në rajonin e Sumit më 11 shkurt vranë të paktën dy civilë, plagosën dy të tjerë dhe shkaktuan dëme të mëdha në ndërtesa banimi dhe prona të tjera, tha shërbimi për shtyp i administratës ushtarake rajonale.

Presidenti amerikan, Donald Trump, i cili ka qenë skeptik për vazhdimin e mbështetjes amerikane për Kievin, po shtyn për një marrëveshje për përfundimin e luftës dhe ka rritur përpjekjet diplomatike ditët e fundit.

I dërguari i tij për Rusinë dhe Ukrainën, Keith Kellogg, do të marrë pjesë gjithashtu në Konferencën e Sigurisë në Munih dhe më pas do të udhëtojë për në Ukrainë.

Trump është ankuar për koston e ndihmave që Shtetet e Bashkuara kanë derdhur në Ukrainë dhe ka thënë se SHBA-ja do të kërkojë diçka në këmbim.

“Ata mund të bëjnë marrëveshje, mund të mos bëjnë marrëveshje, mund të bëhet ruse një ditë, apo mund të mos bëhet ruse një ditë. Por, ne do t’i kemi të gjitha këto para atje dhe them se do t’i marrim ato para”, tha Trump më 10 shkurt në një intervistë për Fox News.

Në këmbim të ndihmave për Ukrainën, Trump i do mineralet e rralla të saj. Pse?

Zelensky i tha gazetës Guardian se vitin e kaluar i propozoi Trumpit idenë që Shtetet e Bashkuara do të kishin qasje primare në mineralet e rralla të Ukrainës si pjesë e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës.

Ai tha se Ukraina i ka rezervat më të mëdha të uraniumit dhe titanit në Evropë dhe ia bëri me dije Trumpit se nuk do të ishte në interesin e Shteteve të Bashkuara që këto rezerva të binin në duart e Rusisë dhe mbase të ndaheshin me Korenë e Veriut, Kinën ose Iranin.

Së fundmi, Trump ka përmendur mineralet e rralla si pjesë të një marrëveshjeje për luftën në Ukrainë dhe ka thënë se sekretari i Thesarit i SHBA-së, Scott Bessent, do të udhëtojë në Ukrainë për të diskutuar për mineralet e rralla.

Zelensky tha se synon t’u paraqesë zyrtarëve të administratës Trump “një plan më të hollësishëm” për mineralet e rralla dhe mundësitë e tjera për kompanitë amerikane, si pjesë e rindërtimit të Ukrainës pas luftës.

Ai theksoi gjithashtu se mbështetja ushtarake amerikane mbetet thelbësore për sigurinë e Ukrainës.

“Garancitë e sigurisë pa Amerikën nuk janë garanci të mirëfillta të sigurisë”, tha ai, duke bërë një tjetër thirrje për më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore, Patriot, të prodhuara nga SHBA-ja.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy