Më 6 shkurt, presidentja Vjosa Osmani ishte folëse e Lutjeve të Mëngjesit, organizuar nga Kongresi amerikan në Ëashington, D.C ku morën pjesë mijëra vetë
Fjalimi i Osmanit është lavdëruar në gazetën malazeze “Vijesti.me” në një shkrim autorial të gazetarit Zheljko Ivanoviq, i cili pati kritika për udhëheqësit e vendit të tij, transmeton Gazeta Express.
Ivanoviq në këtë shkrim thumbon edhe ministrin malazez të Urbanizmit, Slaven Radunoviq, i cili kundërshton pavarësinë e Kosovës. Ai tha se nëse Radunoviq s’do ta kishte braktisur sallën kur Osmani mori fjalën, ai do të kishte kuptuar që Kosova s’është shtet “fake”
“Por nuk ka të bëjë Lutja e Mëngjesit vetëm me fjalimin e presidentit të vendit më të fuqishëm në botë. Pas mëngjesit, vjen dreka. Edhe aty gjithçka fillon me lutje, e më pas, skena u takon të ftuarve të veçantë. Nga tre të përzgjedhurit, njëra ishte Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës. Kjo flet për fuqinë e diplomacisë dhe lobimit të fqinjëve tanë. Më vjen keq që ministri i urbanizmit dhe i Velje Brdo-s, Slaven Radunović, e anashkaloi këtë drekë. Dhe lutjen. Mbi të gjitha, ai humbi fjalimin e zonjës Osmani. Po ta kishte dëgjuar, do të kuptonte se Kosova nuk është një “shtet i rremë””, shkruan Ivanoviq në kolumnën e tij.
“Një rrëfim i ngrohtë dhe personal për një rrugëtim atipik politik—një fëmijë lufte, siç e quajti veten, të cilës politika e urrejtjes (Millosheviqi dhe rrethi i tij) i mori gjithçka, e dëboi nga shtëpia, nga qyteti i lindjes, duke kaluar përmes mërgimit, vuajtjes, varfërisë, deri te çlirimi dhe kthimi në vendlindje. Dhe tani, në skenën më të madhe, në Uashington. Ishin 12 minutat më së miri të shfrytëzuara nga një politikan që kam parë ndonjëherë. Dhe këtë e konfirmuan ovacionet e të pranishmëve pas fjalimit të saj. Dëmi është për Slavenin—mund të kishte mësuar diçka, të nxirrte ndonjë përfundim dhe, kur të kthehej, t’ua përcillte bashkëmendimtarëve të tij. Sidomos Vranešit, i cili kishte premtuar se vitin e ardhshëm—pra, këtë vit—do të jetë në Prizren. Do ta kenë dëshirë”. Ivanoviq shkruan se Mali i Zi krahasuar me Kosovën është një “banana shtet”. “Kur krahasohemi me Kosovën, ne jemi një shtet “banane”. Ndërsa zonja Osmani vizitonte Kongresin, Senatin, Departamentin e Shtetit, dhe merrte ovacionet e dy mijë pjesëmarrësve të Lutjes së Mëngjesit, udhëheqësit tanë mbetën në shtëpi. Kishin punë më të rëndësishme. Jakovi, pas blerjes së gomave të reja dhe makinës së re për veten dhe familjen, duhej të siguronte edhe një apartament të ri. Ndërsa Mickey kishte një justifikim më të fortë: Krvavac po e linte dhe duhej të shuante zjarrin në shtëpi. Sepse, ashtu siç Milo nuk mundej pa Roçkon, Aleksa pa Bokin, Dritani pa Porfirien, po ashtu as Miki nuk mundet pa Brankon. E radhën e ka Joanikije”.