Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka publikuar një letër të kongresistit republikan, Zach Nunn, i cili ia dërgoi pas vizitës që Haradinaj pati në SHBA dhe që mori pjesë në inaugurimin e presidentit amerikan, Donald Trump.
Kongresisti, që përfaqëson Iowa-n, tha se janë krenarë që Kosovën e quajnë një shtet simotër, ndërsa e falënderoi Haradinajn për përkushtimin e tij ndaj lidhjeve Kosovë-SHBA.
Ndërkaq, Haradinaj për letrën e pranuar tha se është dëshmi e partneritetit mes dy vendeve.
“Partneriteti i Kosovës me SHBA-të është i përhershëm dhe strategjik. Takimet gjatë vizitës së fundit në SHBA me kongresistë, senatorë, në Pentagon dhe Departamentin e Shtetit, janë dëshmi po aq sa edhe kjo letër që kam pranuar sot nga kongresisti Zach Nunn. Marrëdhëniet me shtetin e Iowa-s, sidomos në përkrahjen për themelimin e ushtrisë dhe përfshirjen në trajnime e përgatitje të rëndësishme, janë raporte të shkëlqyera që reflektojnë forcimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve mes dy popujve tanë!”, tha Haradinaj.
Ai përsëriti moton e tij të fushatës së anëtarësimi i Kosovës në NATO është prioritet i tij politik.
“Pas çlirimit, pavarësisë dhe themelimit të Ushtrisë së Kosovës, anëtarësimi në NATO mbetet prioriteti dhe misioni im politik dhe jetësor”.
![](https://informim.net/wp-content/uploads/2025/02/477680846_1184042549753758_6071662089601848044_n-768x1106-1-711x1024.jpg)