Ministri aktual për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq thotë se është shumë afër që ta sigurojë një mandat në legjislaturën e ardhshme të Kuvendit të Kosovës.
“Për momentin edhepse nuk kanë përfunduar ende numrimet, në bazë të informatave që i kemi gjasat janë të mëdha të kem mandat në legjislaturën e ardhshme të Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Rashiq për Indeksonline.
Për ta arritur këtë, ai ka kërkuar KQZ-ja që të kenë një vëmendje të shtuar për sa i përket mbrojtjes së votës.
Rashiq ka thënë se persona të panjohur kanë telefonuar mbrëmë komisionerët dhe vëzhguesit e tij dhe iu kanë ofruar atyre shuma të mëdha të parave për t’i anuluar votat e partisë së tij.
Për këtë, ai është ankuar sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve
“Isha në KQZ, ku i njoftova për brengen time se persona të caktuar kanë telefonuar bashkëpunëtore të mi, të cilët janë angazhuar si komisioner të partisë sime, e të cilët kanë pranuar thirrje nga njerëz të panjohur që ofrojnë shuma të mëdha të parave për të anuluar votat tona. Unë e kuptova se ky është një organizim dhe jo një rast individual. Ndaj kërkova nga KQZ-ja që të kenë një vëmendje të shtuar, sa i përket mbrojtjes së votës dhe e mora një premtim nga ana e tyre se do të angazhohen maksimalisht që të mos anulohet asnjë votë”.