Donika Emini për rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit: Nuk do të ketë formim të qeverisë së re, së paku deri në verë

by Nexhat

Ndërsa Kosova përpunon ende rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, analistët politikë tërheqin vërejtjen se vendi mund të rrëshqasë drejt krizës institucionale.

Kjo krizë bën që institucionet e shtetit të mos funksionojnë normalisht dhe të mos arrijnë t’i përmbushin detyrat e tyre kushtetuese dhe ligjore.

banner

“Unë nuk shoh mundësi që Qeveria e Kosovës të formohet së shpejti”, thotë për Radion Evropa e Lirë Donika Emini nga Grupi Këshillëdhënës në Evropë për Politika të Ballkanit.

“Kjo, për shkak se partitë duhet të ulen të negociojnë dhe negociatat do të marrin shumë kohë. Nuk pritet të jetë një proces i lehtë”, sipas saj.

Emini mendon se nuk do të ketë formim të qeverisë së re së paku deri në verë, marrë parasysh rezultatet që kanë prodhuar zgjedhjet.

“Fjalimi toksik ndaj opozitës tregon që Kurti, në njëfarë mënyre, e kishte për qëllim që ta antagonizonte opozitën dhe ajo t’i refuzonte negociatat me të… Por, edhe për opozitën është e vështirë, sidomos për LDK-në, e cila ka qenë në koalicion [me Kurtin] dhe ka përjetuar rënien me të madhe gjatë asaj kohe”, thotë Emini.

Ajo nuk e përjashton mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të reja, nëse partitë nuk arrijnë të dakordohen, por thotë se ato nuk do të ishin zgjidhje e mençur, marrë parasysh se Kosova, këtë vit, mban edhe zgjedhjet lokale

“Unë nuk mendoj se përsëritja e zgjedhjeve mund të sjellë ndonjë rezultat. Ajo që mund të sjellin zgjedhjet e tilla, është mosadalja e qytetarëve dhe kështu do të përsëritej një proces me rezultate të ngjashme. Do të ishte humbje kohe dhe humbje e jashtëzakonshme e resurseve”, thotë Emini.

Sipas saj, Kosova nuk e ka luksin për zgjedhje të tilla edhe për shkak të dinamikave në botë dhe pritjeve prej saj, sidomos sa i përket rinisjes së dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë

“Brendapërbrenda, ndoshta do të mund të funksiononim disi, mirëpo në politikën e jashtme do të kishim pasoja serioze”, thotë Emini.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy