Kryetari i Lëvizja për Bashkim, Valon Murati tha se administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump e ka zënë Kosovën “në indiferencë”.
Ai shkroi se kjo indiferencë po vazhdon “sikur të jemi qendra e botës”, ndërsa shtoi se nga kjo vendi mund të pësojë izolim, injorim, destabilizim e moszhvillim.
“Trampi, ndonëse shumicën e politikave që po i ndjek me shpejtësi dhe dinamikë të paparë i ka thënë në fushatë, prapë se prapë bota vazhdon të mbetet gojëhapur. Administrata Tramp 2 ka zënë në befasi fqinjët e SHBA-ve. Ka zënë në gjumë krejt botën arabe. Ka zënë të papërgatitur dhe në kaos Evropën. Ka zënë në pozitë pa përgjigje (për të mos thënë të pashpresë) Ukrainën”, shkroi Murati në një postim në Facebook.
“Ndërsa ne? Ne na ka zënë indiferentë. Indiferencë që vazhdon me komoditet, sikur të jemi qendra e botës, e jo një vend i brishtë i cili nëse di të pozicionohet dhe e di çfarë do, mund të përfitojë nga ndryshimet në rendin ndërkombëtar, e nëse vazhdon me indiferencë edhe mund ta pësojë (me izolim, injorim, destabilizim e moszhvillim)”, shtoi ai.