Ambasada Gjermane në Prishtinë në një përgjigje për Express kanë thënë se janë njoftuar që donacioni i dhënë për KQZ-në s’është përdorur gjatë këtyre zgjedhjeve dhe kanë sugjeruar që të drejtohen pyetje drejt Komisionit Qendror të Zgjedhjeve se pse ka ndodhur diçka e tillë,
Ndonëse kishin kaluar katër vite nga zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 dhe ka pasur kohë të madhe në dispozicion për përgatitje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dështuar që në mbrëmjen e 9 shkurtit 2025 të ofrojë pasqyrë të qartë dhe pa probleme të votave që kishin filluar të numëroheshin nëpër qendra të numërimi gjithandej Kosovës.
Duke parë një situatë të tillë, ku sistemi herë shfaqte përqindje të çuditshme votash e shpesh herë edhe ishte jashtë funksionimit, kreu i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, në një konferencë për media të mbajtur mbrëmjen e 9 shkurtit, kishte pranuar dështimin e sistemit dhe kishte bërë thirrje që të mos merrej si referencë faqja e KQZ-së për rezultatet.
Ky problem serioz kishte nxitur reagime, shqetësime e debat të madh në opinion publik rreth kredibilitetit të procesit të numërimit, ku drejtoheshin kritika në adresë të KQZ-së për një dështim të tillë, ndërkohë kërkohej edhe përgjegjësi.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Perparim Kryeziu, ka dalë më një reagim në faqen e tij zyrtare, duke thënë se Qeveria e Kosovës s’ka të bëjë me serverët dhe softuerët e KQZ-së dhe ka thënë se KQZ ka pranuar serverë dhe pajisje përcjellëse për Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve si donacion nga Gjermania.
“Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka të bëjë as me serverët e as me softuare-in e KQZ-së për digjitalizimin e procesit zgjedhor, duke përfshirë raportimin e daljes së votuesve në zgjedhje dhe rezultateve preliminare. Për informim të qytetarëve, KQZ ka pranuar serverë dhe pajisje përcjellëse për Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve si donacion nga shteti i Gjermanisë kurse prokurimi për softëare-in e KQZ-së është bërë nga OSBE, gjithashtu si donacion”, ka shkruar Kryeziu më 12 shkurt në profilin e tij.
Sipas tij, akuzat ndaj Qeverisë për problemet teknike të KQZ-së ishin përpjekje për shkaktim hutie dhe për të ulur besimin në procesin zgjedhor dhe rezultatin e tij.
![](https://informim.net/wp-content/uploads/2025/02/image-56.png)
Por këto pajisje të dhuruara nga Gjermania të cilat i përmend zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, s’janë përdorur në këto zgjedhje. Kështu kanë konfirmuar për Express nga Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë dhe ka mësuar Express edhe nga burime brenda KQZ-së.
Për më tepër, zëdhënësi i Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë, Christian Boetcher, ka thënë për Express se pajisjes që Gjermania i ka dhuruar, kanë të bëjnë me infrastrukturën e IT-së së KQZ-së dhe nuk përfshinë pajisje të numërimit të votave.
“Pajisjet e ofruara synojnë të përmirësojnë infrastrukturën e TI-së të KQZ-së, megjithatë, ato nuk përfshijnë pajisje për numërimin e zgjedhjeve. Donacioni është organizuar dhe pajisjet janë blerë nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, me financim të siguruar nga Gjermania”, ka thënë ai për Express.
Christian Boetcher ka theksuar gjithashtu se Ambasada gjermane është njoftuar se pajisjet e dhuruara nuk janë përdorur gjatë zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe ka thënë se duhet pyetur KQZ-ja se pse këto pajisje s’janë shfrytëzuar.
Lidhur me ecurinë e procesit, sot kreu i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka raportuar tek presidentja Vjosa Osmani dhe ka deklaruar se kanë urdhëruar një hetim lidhur me atë se çfarë ka ndodhur me faqen e KQZ-së./GazetaExpress/