Tre persona, dy shtetas turq dhe një nga Maqedonia e Veriut, janë arrestuar dje në Prishtinë pasi Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike pas veprimeve hetimore dhe në koordinim me Prokurorin e Shtetit ka zhvilluar kontrolle në tri lokacione të ndryshme pas dyshimeve për keqpërdorime të kartelave bankare.
Policia tha se të dyshuarit me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, dyshohet se kanë keqpërdorur kartela bankare të shtetasve të huaj dhe POS terminale të bankave vendore, me çka është shkaktuar dëm i konsiderueshëm.
“Në cilësi të provave materiale janë sekuestruar: POS terminale, kartela bankare, kartelë bankare e modifikuar, para të gatshme, SIM kartela, vula me mbishkrime të bizneseve, kompjuter, telefona mobil, si dhe dokumente relevante (fatura, kuponë fiskal, etj.) që ndërlidhen me veprën penale. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, ka thënë policia.