Table of Contents
Jelekun e Naim Frashërit, veshjen e Ali Pashë Tepelenës apo Lord Bajronit…
Këto janë porositë kryesore që merr nga emigrantët shqiptarë, Buqe Muka, e certifikuar si mjeshtre e qëndisjes.
Ajo jeton në qytetin e gurtë të Gjirokastrës, në jug të Shqipërisë, aty ku artizanati prej vitesh po ringjallet, pavarësisht vështirësive të shumta.

Profesioni që e ushtron me shumë dashuri, i ka rrënjët në fëmijëri.
“Në atë kohë nuk kishte vajzë që nuk dinte të qepte, të qëndiste, të bënte punime të ndryshme me grep apo me shtiza. U martova shpejt dhe ndërsa kujdesesha për tre fëmijët, nisa t’i ushtroj këto teknika që i kisha mësuar që fëmijë, në funksion të familjes sime të re. Punoja në shtëpi, ku më vinin porosi të ndryshme – fillimisht nga banorë të zonës, e më pas edhe nga vende të tjera rreth e rrotull”, rrëfen Buqja për Radion Evropa e Lirë.
Përderisa porositë i shtoheshin dhe shihte interes për “të vjetrën”, ajo vendosi të hapte një dyqan të vogël në “Qafën e Pazarit”, ku do të tregtonte objekte të vjetra që i përkisnin kohës së komunizmit apo më të hershme.

Gjatë kohës që i shiste ato, bënte edhe punime të ndryshme me dorë, që gjithashtu nisi t’i shiste në dyqan.
“Bëja çentro (v.j. punime me grep ose qëndisje që vendosen në mes të tavolinës) me simbolika të Gjirokastrës apo Shqipërisë, bizhuteri të ndryshme me grep… Duke parë interesimin më së shumti të emigrantëve dhe të turistëve të huaj, nisa të studioja teknika të ndryshme që të shtoja shumëllojshmërinë e produkteve”, thotë 47-vjeçarja.
Ajo kujton se koha e pandemisë COVID-19 ishte një goditje e madhe për përpjekjet e saj për ta mbajtur gjallë këtë traditë dhe biznes që kishte nisur.

“Historia dhe tradita ringjallën biznesin në pandemi”
“Ishte koha kur duhet të mendoje çfarë të bëje, në njëfarë mënyre ta rishpikje veten në atë që ofroje, të sillje diçka të re që do të tërhiqte vëmendje sapo ta postoja online. Shumë mendime më vinin në kokë dhe, ndërsa bisedoja me bashkëshortin, i thashë se ideja ime ishte të përqendrohesha te veshjet tradicionale”, kujton Buqja.
Ajo tregon se dëshira ishte e madhe për t’i risjellë veshjet tradicionale origjinale, por se vështirësitë ishin të shumta.
Duhej gjetur veshja origjinale e duheshin përdorur teknika të veçanta.
Ndihmën e parë e mori nga një tjetër artizane e zonës, por më pas kuptoi se duhej të niste një studim të mirëfilltë, për të arritur te synimi që i kishte vënë vetes.
“Në verë të vitit 2020 nisa ta praktikoj qëndisjen e veshjes tradicionale. Nisa kërkimet e mia, gjeta disa materiale, bisedova me persona që e njihnin veshjen e zonës, por u treguan jobashkëpunues, mosbesues… nuk më jepnin informacionin e duhur”, thotë Buqja, e cila, më pas, nisi të kërkonte nëpër libra, përkatësisht botime të Institutit të Antropologjisë.
“Gjeta pesë seri librash për veshjet popullore shqiptare, që përfshijnë edhe veshje të trojeve jashtë kufirit. Madje, falë këtij përkushtimi, më vonë u bëra pjesë e ekipit të restautorëve në muzeun etnografik”, tregon artizania.

Jeleku i Naim Frashërit, më i kërkuari nga emigrantët
Sipas saj, çdo veshje tradicionale është një libër më vete. Thotë se, duke bërë kërkime, ndeshi në veshjen e rilindasit shqiptar, Naim Frashëri, e veshur në vitin 1900.
“E gjeta në librin ‘Veshjet shqiptare në shekuj’ të etnologes Andromaqi Gjergji. Është një veshje që i ka të gjitha, por, mbi të gjitha, tregon fisnikëri, ka prerje të bukur, elegancë, cilësi të lartë, e qëndisur me fije floriri. Dukej që është përdorur nga një shtresë e lartë e asaj kohe”, thotë Buqja.

Pasi e realizoi këtë veshje, ajo thotë se ia prezantoi etnografes së njohur shqiptare, Afërdita Onuzi.
“U gëzova shumë kur më tha se është pothuajse origjinale – në masën 98%. Dypërqindëshi i mbetur larg origjinalit, lidhej me materialin, sepse shajakun nuk e kemi më. Fija e floririt që përdorej për qëndisje në atë kohë, ka qenë origjinale ose e larë në flori, ndërsa sot është fije në atë ngjyrë që vjen nga Kina ose Turqia”, thotë Buqja.
Sipas saj, ndër modelet më të kërkuara nga blerësit mbetet ai i jelekut të Naim Frashërit, e që kërkohet kryesisht nga emigrantët.
Veshja e Ali Pashë Tepelenës
Bashkëshorti i Buqes është nga Tepelena, kështu që ajo nuk mund ta linte jashtë vëmendjes edhe veshjen tradicionale të kësaj zone.
Por, thotë se ka hasur në shumë vështirësi, pasi ajo thuajse është zhdukur. Kujton se i janë dashur kërkime të shumta, pasi edhe në muzetë etnografikë mungon informacioni. Dhe sërish, duke u konsultuar me etnografë, ka arritur të realizojë dy veshje shumë të rëndësishme.
“M’u kërkua nga Bashkia e Tepelenës t’i realizoja veshjet e Ali Pashë Tepelenës. Etnografja Afërdita Onuzi më tha se nuk ekzistojnë veshjet, veç pikturave në internet. Më orientoi sërish te një libër i Anbdromaqi Gjergjit, takova historianë, vizitova muzeun e tij në Janinë. Të dyja veshjet i kam realizuar bazuar në fotografi që më sollën nga një muze në Londër, pasi vetë nuk kam pasur mundësi ta vizitoj”, thotë qëndistarja.

Ajo është e kënaqur që ka marrë vlerësime për punimet e saj shumë afër origjinalit.
Në të gjitha veshjet tradicionale që ka ringjallur – qoftë të figurave të njohura historike, qoftë të banorëve të zonave të ndryshme në jug të vendit – ka ruajtur ngjyrat, motivet, pa elemente shtesë.
Gjatë kohës së pandemisë, ajo ka punuar edhe portrete të figurave të njohura historike, si: Skënderbeu, Ismail Qemali apo Isa Boletini, si dhe pamje të kalave të ndryshme në Shqipëri.
“Kryesisht i kërkonin kosovarët dhe emigrantët”, thotë Buqja.
Restaurim veshjesh deri 200-vjeçare
Punimet e saj aktuale janë përqendruar te veshjet tradicionale, por edhe kthimi në identitet i atyre të vjetrave.
“Shoh që po ndërgjegjësohen, duan origjinalitetin në veshjen e zonës. Në momentin që dikush vjen dhe interesohet, dua veshjen e djalit ose burrit, i kërkoj origjinën, që ta bëj veshjen e zonës nga vjen. Kushton, por është vlerë që e trashëgon ndër breza”, thotë Buqja.
Ajo tregon se kërkesat i ka më shumë nga emigrantët – “janë ata që duan origjinalen, kanë nostalgji për vendin e vet dhe e shprehin në porositë që bëjnë”.

Buqja thotë se, në punishten e saj, njerëzit sjellin edhe veshje të vjetra për t’i restauruar.
“Janë të degraduara, mbi 100-vjeçare. Më vjen keq kur i marr në duar se thuajse thërrmohen, pasi janë ruajtur në kushte të papërshtatshme. Kur i shihja në muze, më vinte keq për to. Sa më shumë që i shihja, aq më shumë bindesha se sa vlera humbim derisa nuk vihet dorë në to. Punoj me shumë dashuri me to”, thotë qëndistarja.
Aktualisht tregon se sapo ka restauruar një jelek të zonës së Beratit, për të cilin thotë se është 200-vjeçar, i trashëguar ndër breza.

Vlerësimi në Shqipëri dhe jashtë vendit
Buqja është certifikuar si mjeshtre artizane nga Dhoma Kombëtare e Zejtarisë në qershor të vitit 2022.
Më pas, vajzat që punonin pranë kësaj dhome, e referuan dosjen e saj te “Homo Faber” – një fondacion që përmbledh artizanë nga e gjithë bota.
“Dosja ka kaluar në kontrollin e tri ekipeve, që kanë vlerësuar punën time. Nuk kam qenë e vetme, por ishim gjithsej 12 artizanë nga Shqipëria. Në korrik të vitit 2024 u publikua edhe profili im. Këmbëngula shumë që të përfaqësohesha me veshjen e Naim Frashërit, të punuar prej meje, pasi ata më kërkuan diçka mes tradicionales dhe modernes”, thotë Buqja.

Rast që i ka mbetur në mendje, është ai i një shtetasi hungarez, i cili jetonte në Sarandë dhe promovonte Shqipërinë në vendin e tij.
Ai kishte kërkuar një veshje tradicionale nga Buqja për t’u paraqitur në një dalje televizive në vendin e tij.
“Një ditë erdhi në punishten time dhe më tha se më sillte një dhuratë nga nëna e tij. U habita shumë. Ishte një çentro e qëndisur nga nëna e tij. Ka një teknikë të veçantë që ne i referohemi si qëndisje hungareze, kur e përdorim si teknikë. U emocionova që një zonjë nga Hungaria vlerësonte punën që kisha bërë dhe ishte mrekulluar nga veshja shqiptare”, shprehet Buqja.
Bashkëpunëtor kryesor, ajo ka djalin e saj. Ai ka studiuar për pikturë në Gjirokastër dhe realizon në skica veshjet e krahinave të ndryshme.
Këtyre modeleve më pas u referohet 47-vjeçarja, për të qëndisur veshjet tradicionale.
“Familja është mbështetje e madhe, sepse unë e hap në 7:00 në mëngjes punishten dhe e mbyll në 19:00, duke sakrifikuar kohën që duhet të kaloj me ta. Nuk mbaj mend kur ka qenë hera e fundit që mund t’iu kem bërë një ëmbëlsirë”, thotë Buqja, e cila vuan mungesën e punëtorëve kur shtohen porositë.
Ajo thotë se me qëndisje merren gra mbi moshën 65 vjeçe, ndërsa brezit të ri nuk i intereson.
Edhe pse e fokusuar te veshjet tradicionale, ajo herë pas here ka eksperimentuar duke sjellë edhe bizhuteri të qëndisura.
Thirrjes së saj për të bashkëpunuar, tregon se i janë përgjigjur gra nga zona më të largëta, si Shkodra, Kukësi etj.

Buqes i është dashur që përmes videove t’ua mësojë fillimisht qëndisjen, e më pas, përmes postës, t’ua dërgojë materialet dhe të marrë prej tyre punimet e porositura.
Edhe pse ka shumë sfida, thotë se dëshiron që një punishte të ngjashme ta ketë edhe në Tepelenë, ku, veç në qëndisje, të përqendrohet edhe tek “ato që na bëjnë të veçantë në sytë e turistëve, si produktet bio tradicionale të zonës: raki, gliko, mjaltë etj.”.
Për të ruajtur traditën, Buqja është përfshirë edhe në projekte me bashki të ndryshme, për t’ua mësuar nxënësve qëndisjen. Thotë se ka vërejtur interesim nga nxënësit, por jo nga drejtuesit lokalë për të vijuar këtë traditë.
“Më dërgojnë mesazhe se kur do të rinisim? Unë them se duhet të brumoset në shkollë dashuria për artizanatin, për traditën. Nuk duhet ta fajësojmë brezin e ri… Në kohën tonë kur ishim në shkollë, kemi pasur ‘ekonomi shtëpiake’, mësonim të qepnim, vendosnim kopsa. Mendoj se duhet të jetë edhe sot kjo lëndë”, thotë Buqja.
Edhe pse është e vetëdijshme se puna e dorës nuk vlerësohet, ajo thotë se nuk do të ndalet së punuari dhe të bëjë përpjekje për ta kaluar atë te brezat e rinj.
Me keqardhje thotë se nuk ka pasur përkrahje nga institucionet, veç ftesave për të qenë pjesë në panaire me punimet e saj.