Ka ndërruar jetë pas gjashtë ditësh në spital Anila Ndoka, e cila u qëllua me plumb në kokë nga bashkëjetuesi i saj Kol Manaj.
Anila Ndoka, nënë e 3 fëmijëve mbeti e plagosur rëndë paraditen e së martës në Shkodër. Ajo u qëllua me plumb në kokë nga burri me të cilin bashkëjetonte. Autori Kol Manaj, 10 vite më i ri se ajo, ku po me plumb në kokë i dha fund jetës. Për policinë e Shkodrës, ky është një krim pasioni me motiv xhelozinë, pasi deri në këtë fazë të hetimit nuk ka asnjë indicie për konflikte të tjera në çift.
Ngjarja u shënua rreth orës 11:15 në lagjen “Mark Lula” ose siç njihet ndryshe tek ish-fusha e druve në Shkodër.
Çifti u gjet brenda makinës Volkswagen Touran, në pronësi të gruas së plagosur.
Në brendësi të makinës, policia gjeti pistoletën me të cilën 34-vjecari, Kol Manaj qëlloi partneren e tij, e më pas veten. Policia tha se 34-vjeçari humbur jetën në vend.
Ndoka ka tre fëmijë nga martesa e parë, ku njëri prej tyre jetonte me të, ndërsa dy të tjerët me ish-bashkëshortin. Prej 4 vitesh ajo bashkëjetonte me autorin, i cili ndërkohë ishte i papunë, por nuk kishte sjellje problematike.
Së fundmi ajo ka tentuar t’i japë fund bashkëjetesës, ç’ka mendohet se ka revoltuar Manajn.