Në ditëlindjen e 80 – të të atdhetarit të shquar Ukshin Hoti në mes të ngjarjeve të tjera u bë edhe përurimi i kompleksit muzeor të shtëpisë së tij.
“Sonte, në natën kur ndahet dekorata “Ukshin Hoti”, në prani të shumë mysafirëve e të bashkëpunëtorëve, u përurua kompleksi muzeor i shtëpisë së Profesorit Ukshin Hoti. Ky muze, me sipërfaqe prej 400 m2, është investim i Komunës së Rahovecit dhe përmban: Galerinë, zyrën për qëllime administrative, amfiteatrin e brendshëm dhe të jashtëm, si dhe hapësira të tjera. Vlera e këtij projekti është: 189.590.13 €, – ka bërë të ditur Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.
Latifi ka shtuar se po në këte natë Komisioni komunal për vlerësimin e propozimeve për ndarjen e dekoratës “Ukshin Hoti”, e ka dekoruar edhe shkrimtarin e shquar shqiptar me përmasa botërore, ISMAIL KADARE me motivacionin: “Në vlerësim të veprës atdhetare dhe të rolit të jashtëzakonshëm në fushën e kulturës, të historisë e të letërsisë shqiptare, të edukimit të brezave në frymën atdhetare, si dhe për meritat e veçanta për ndërgjegjësimin e opinionit ndërkombëtar për fatin e Ukshin Hotit; Për kontributin e çmuar letrar-artistik dhe afirmimin botërisht të vlerave të kulturës e të traditës autoktone shqiptare, si dhe për përpjekjet e parreshtura intelektuale për liri e mbrojtje të trojeve shqiptare”.