Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e ka pritur sot në takim ambasadorin e Suedisë, Jonas Westerlund. Osmani dhe Westerlund, diskutuan rreth zhvillimeve të fundit në vend si dhe për bashkëpunimin në tejkalimin e sfidave të përbashkëta në kontitentin evropian.
Në njoftimin e Presidencës, thuhet se gjithashtu gjatë këtij takimi u nënshkrua një Memorandum Bashkëpunimi, i cili do t’i sigurojë Zyrës së Presidentes mbështetjen e shtetit suedez nëpërmjet ekspertizës profesionale nga fushëveprimtaria e institucionit të Presidencës.
“Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, Presidentja Osmani falënderoi Ambasadorin Westerlund për përkrahjen e vazhdueshme të Suedisë ndaj Kosovës, duke theksuar rëndësinë e partneritetit në forcimin e institucioneve demokratike dhe në avancimin e agjendës evropiane të vendit tonë”, thuhet në njoftim.
“Ky Memorandum Bashkëpunimi shënon një tjetër hap konkret në drejtim të përforcimit të kapaciteteve institucionale dhe krijimit të politikave të bazuara në ekspertizë dhe praktikat më të mira ndërkombëtare”.