Aksioni i Policisë së Kosovës për mbylljen e Qendrave për Punë Sociale në tri komunat veriore ka nxitur reagime të shumta ndërkombëtare. Aksioni në fjalë, për bastisjen e Qendrave për Punë Sociale të drejtuara nga Serbia ishte kryer me lejen e Gjykatës Themelore në Mitrovicë. Kështu thuhet në përgjigjen e Gjykatës për Kohën.
“Departamenti i Përgjithshëm me datë 19.02.2025 e ka lëshuar Urdhërkontrollin në katër (4) lokacione të ndryshme, të cilat kanë shërbyer si Qendra për Punë Sociale në kuadër të strukturave paralele. Dyshimet kanë qenë se në këto lokacione të pandehurit kanë kryer veprën penale: Falsifikim i dokumenteve nga neni 390, paragrafi 1 lidhur me nenin 77 të KPRK-së. Gjyqtarja e Procedurës Paraprake ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet për bastisje në këtë lokacion, por që këto qendra nuk janë mbyllur me vendim të Gjykatës”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës.
Në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë thanë se hetimet po vazhdojnë, mirëpo nuk ndanë informata të tjera lidhur me ecurinë e tyre.
“Kontrolli në këto qendra është zbatuar me urdhëresë të gjykatës. Hetimet në këtë çështje penale kanë filluar ndaj katër personave, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”, të kryer në vazhdimësi. Lidhur me provat e sekuestruara, në këtë fazë nuk mund të deklarohemi, meqenëse do të kryhen disa procedura shtesë në raport me të njëjtat”, kanë thënë në Prokurori.