Asamblisti i PDK-së në Komunën e Fushë Kosovës, Mirsad Qyqalla, në emisionin FRONTAL në T7 ka folur për gjendjen e këtij qyteti sa i përket pastërtisë dhe fotografive të fundit që janë shpërndarë nëpër rrjete sociale që tregojnë hapësira të mbuluar me mbeturina në këtë qytet.
Qyqalla ka thënë se Inspektorati dhe Komuna janë në gjumë të thellë përballë kësaj situate dhe sipas tij, për mënyrën se si punon Komuna, munden edhe të mos e kenë parë gjendjen e rënduar me mbeturina.
“Inspektorati dhe Komuna jonë janë në gjumë të thellë. Me logjikën qysh punojnë dhe funksionojnë, jam I bindur që nuk e kanë parë”, ka thënë Qyqalla.
Ai ka përmendur se gjendja e renduar me menaxhimin e mbeturinave është nëpër të gjithë qtyetin e Fushë Kosovës, duke përmendur këtu edhe dendësinë e madhe të popullatës që jeton në këtë qytet , e që në bazë të regjistrimit të fundit ka dalë 65 mijë banorë.
Qyqalla thotë se kjo gjendje e rënduar vjen edhe për faktin se Fushë Kosova s’ka ndërmarrje komunale dhe gjithashtu thotë se edhe kontejnerët e vendosur janë në sasi të vogël krahasuar me numrin e ndërtesave dhe të banorëve.
“Komuna e fushë Kosovës ka 65 mijë banorë. S’kemi ndërmarrje komunale. Dhjetë ndërtesa me dy-tre kontejnerë”, ka thënë ai.